TIRANE– Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka prezantuar sot para qytetarëve programin për infrastrukturën. Duke përmendur investimet e munguara në kryeqytet, Veliaj tha se PD nuk mbajti premtimet e bëra 4 vite më parë. Veliaj i është drejtuar edhe kandidatit të djathtë për Bashkinë e Tiranës, duke u shprehur se “pala tjetër s’pranoi ftesën për debat”.


“Në 4 vitet e ardhshme do të fitojë qyteti. Kjo nuk do të jetë një fushatë populiste, por për shërbimet ndaj qytetarëve. Bashkia do të jetë palë me qytetarët, dhe do të punojë për ta. Kërkuam debat me palën tjetër, por nuk pranoi. PD po bën të njëjtat premtime si 4 vite më parë, por ja që nuk bënë asgjë. Premtuan ndërtimin e Unazës së Madhe, u premtuan trotuare cilësore dhe sipas standardeve. Me çfarë kurajo kërkojnë votën e qytetarëve”, u shpreh Veliaj.

Zotimet e kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës për zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës të krijuara gjatë katër viteve të fundit në kryeqytet, ishin rehabilitimi i të gjitha rrugëve të degraduara, vendosja në funksion të plotë të sistemit të kanalizimeve, pajisja me puseta e të gjitha rrugëve dhe trotuareve, rikthimi në shërbim të qytetarëve çdo m2 trotuar dhe krijimi i hapësirave për transportin publik dhe me biçikleta.

Veliaj ta se vetëm në çështjet e rrugës dhe infrastrukturës janë vënë në dukje 1246 probleme në Tiranë.

“Në bashki nuk mungojnë inxhinierët, arkitektët, urbanistët, por na mungon modeli i njeriut që shërben dhe të përulur, që parkon me arrogancë te kali i Skënderbeut, ndërkohë që njerëzve u premton akses të biçikletave, të transportit publik, apo të njerëzve me aftësi të kufizuara”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, janë 191 hapësira të pashfrytëzuara në gjithë Tiranën dhe që kanë potencial të shndërrohen në hapësira argëtuese dhe çlodhëse për qytetarët. Ekipi i ekspertëve pranë kandidatit të majtë ka identifikuar 86 hapësira ku, ose ka kënde lojërash të amortizuara ose ka potencial për të ndërtuar të reja. “Në total kemi identifikuar rreth 376 hapësira që mund t’i kthehen publikut si hapësira argëtuese. Vendimi ynë i parë do të jetë për çlirimin e të gjitha këtyre hapësirave sepse shumë prej tyre janë të paligjshme”, deklaroi Veliaj.

Më tej, ai shpjegoi se janë identifikuar 138 hapësira parkimi abuzive, 278 hapësira publike të uzurpuara, 63 probleme dramatike që kanë të bëjnë me ujësjellësin dhe kanalizimet dhe 191 hapësira të pashfrytëzuara në të gjithë Tiranën.

Duke u shprehur për çështjen e legalizimeve, Veliaj tha se “lajmi i mirë është që edhe doktor Halimi ka përfituar nga procesi i legalizimit. Ndërtim pa leje 5 kate në Tiranë, i legalizuar falë reformës tonë të legalizimeve. Imagjinoni, as partia e tyre nuk legalizonte ministrat e tyre për sa kohë që nuk paguanin haraçin aty ku duhej të paguhej. Nuk jam këtu për të bërë polemikë, por për të thënë, si mundet dikush të kandidojë për kryetar bashkie nëse ndërton një pallat 5 kate pa leje. Shumë prej nesh, as në ëndrrën tonë më te keqe, nuk mendojmë dot që të vëmë një tullë pa leje. Unë e kuptoj, disa njerëz që erdhën nga zona të vështira të Shqipërisë, u duhej të ndërtonin strehën e tyre diku, dhe këto janë 99% e atyre që po legalizohen. Por, dikush që banon në bllok dhe ndërton një pallat pesë kate pa leje, vjen dhe i thotë Tiranës më votoni për kryetar bashkie. Ne e kemi njërin që drejton me shembull të keq, pse na duhet një tjetër që ndërton me shembull të keq, për një tjetër që drejton me shembull të keq, për një tjetër që ndërton pa leje, që ka kurajën të thotë: na jepni katër vite të tjera të shkatërrojmë si këto 4 vite që ikën. Ne nuk duam njerëz që ndërtojnë pa leje dhe që kanë një lagje të standardeve afrikane, ku ujërat e zeza komandojnë sa herë që bie shi”.

Veliaj vlerësoi se çështja e infrastrukturës është problematike, pasi janë identifikuar 871 rrugë të amortizuara në të gjithë Tiranën dhe 327 trotuare të dëmtuar. “Po dëgjoja kundërshtarin që thoshte: do të bëjmë 300 mijë metra katrorë trotuar. Si mund ta premtosh këtë, kur vetë del nga dera e klinikës dhe futesh në baltë, kur nuk rregullon dot trotuarin te shtëpia jote? Ju garantoj se kështu është edhe Njësia 8, te shtëpia e Lulit”, deklaroi Veliaj. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin se në Tiranë mungojnë 267 puseta dhe numri më i madh i aksidenteve rrugore janë njerëzit që bien në gropat e hapura.

Krahas ofertës prej 5 pikash për infrastrukturën në Tiranë, kandidati i majtë solli në vëmendje edhe disa projekte të mëdha që ndikojnë në jetën e qytetit. Njëri prej tyre është edhe Bulevardi i ri i Tiranës. “Nuk do kemi më Bulevardin e ri të Tiranës, ku ishin dhënë lejet e ndërtimit e të gjithë klientëve të SHQUP-it. Ne do t’i rikthehemi idesë fillestare të Bulevardit të Edi Ramës. Dhe ideja fillestare ishte që bulevardi i ri të zgjerohet me gjelbërim”, deklaroi Veliaj. Më tej, ai deklaroi se projekti i dytë është projekti i unazave të Tiranës. Duke folur për rrjetin e rrugëve në kryeqytet, Veliaj theksoi se lidhja me rrugën e Arbrit është ndoshta lajmi më i mirë edhe për t’u kthyer në 4 daljet karakteristike dhe historike të Tiranës, por edhe për të pasur një zhvillim në një zonë që do përfitojë jashtë mase.

Gjithashtu, Veliaj premtoi hartimin e masterplanit të biçikletave dhe këmbësorëve. “Masterplani i lëvizjes së biçikletave dhe këmbësorëve do të përfshijë edhe disa kufizime në disa zona. Ne do të aplikojmë, në orë të caktuara, ndërprerje të trafikut në zonat që i konsiderojmë si zonat më problematike. Këtë vendim do ta marrim në bazë të statistikave ku na tregohet se trafiku i rënduar shkakton ndotje të ajrit”, përfundoi Veliaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb