Strukturat e Bashkisë së Tiranës kanë nisur një aksion për pastrimin e mbetjeve dhe ndërhyrjen në mjedis në disa zona të kryeqytetit, pas ndryshimeve të fundit që lidhen me kalimin e kompetencave të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.

Grupet e punës kanë zbritur në terren në pika të tilla si Bregu i Lumit, Babrruja dhe Ura e Kamzës. Në këtë proces janë angazhuar punonjës nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrim-Gjelbërimit, Eco Tirana, Policia Bashkiake, si dhe ndërmarrje të tjera në varësi të bashkisë.

Sipas përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, ndërhyrjet janë planifikuar të vijojnë në mënyrë periodike në vendet e identifikuara si më problematike me mbetjet.

“Jemi në zonën e Bregut të Lumit, ku prej disa ditësh po vazhdojmë me aksionin e pastrimit në bashkëpunim me ndërmarrjet e tjera të bashkisë, bazuar në direktivat e kryetarit. Aksionet do të vijojnë çdo ditë në të gjitha pikat problematike për pastrimin e tyre,” u shprehën zyrtarët bashkiakë gjatë ndërhyrjes në terren.

Përveç punës së strukturave administrative, përfaqësuesit e bashkisë theksuan gjithashtu nevojën për bashkëpunim nga ana e qytetarëve për ruajtjen e pastërtisë në hapësirat publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb