Ramadani, vëllai i ish-komandantit të UÇK-së Rexhep Selimi, ka bërë me dije përmes një postimi në Facebook se ka qenë për vizitë te vëllai i tij në Hagë. Në këtë vizitë, së bashku me të ka qenë edhe djali i tij, Arlindi, ndërsa djali tjetër, Genti, nuk është lejuar të takojë xhaxhanë.
“Ishim për vizitë në Hagë, por mundësinë për ta vizituar Rexhën e kishim vetëm unë dhe Arlindi dhe jo e gjithë familja ime e ngushtë. Na erdhi keq për Gentin që nuk ju lejua vizita për xhaxhanë e vet Rexhën,”, shkruan Ramadani.
Ai tregon më tej se pavarësisht mungesës së takimit fizik, djali i tij Genti ka përjetuar thellë momentin e afërsisë shpirtërore me xhaxhanë e tij:
“Ai e ndjeu një përjetim të jashtëzakonshëm shpirtëror, sepse largësia fizike në mes tyre ishte vetëm disa metra nga njëri-tjetri që ndanin ato mure famëkeqe të kësaj ndërtese.”
Në fund të postimit të tij, Ramadani shpreh një dëshirë të sinqertë për mbylljen e këtij kapitulli:
“Uroj të jetë kjo vizita e fundit në këtë vend më Rexhën dhe të lirohen çlirimtarët nga kjo gjykatë e padrejtë.”
