Deklaratë tronditëse vjen nga Lulëzim Lleshi, vëllai i Artur Lleshit, që u gjet i vrarë në vitin 2019 në një tunel, ndërsa ai lëshon akuza të forta për ish-gruan dhe ish-kunatën.
Në një rrëfim ekskluziv për gazetarin e News24 Enver Doçi, Lleshi, ka reaguar pas arrestimit të dy kushërinjve të tij, që dyshohet se kanë gisht në zhdukjen edhe vrasjen e vëllait të tij. Madje ai thotë se dy vëllezërit binjakë, Klodian dhe Klement Krusa, iu morën gratë atij dhe vëllait të tij të ndjerë.
“Në 2018 erdhi vëllai që ishte emigrant në Maqedoni. Të nesërmen humbi vëllai. Piu kafe me kushërinjtë, dhe raki. Ishte mbrëmë. Këta që janë arrestuar janë Klement dhe Klodian Krosa. Me këta piu kafe te shtëpia e vëllait. Kanë ndenjur deri në orët e vona. Kisha shkuar dhe nënën time te shtëpia e vëllait. Kur i ngrita në mëngjes, erdhën këta dy kushërinjtë në mëngjes dhe thanë; hajde pimë kafe te vëllai. Kur shkuam aty ajo tha; burri ka ikur në Gostivar. Kam kërkuar gati 1 vit në Maqedoni, dhe pas 1 muajsh u gjet në tunelin e Gurëz, i vrarë me një plumb. Dyshimet i kam në familjen time. Duhet të arrestohen gratë në radhë të parë. Duhet të arrestohet ish-bashkëshortja ime dhe ish-kunata ime, se ajo ka humbur gjurmët.
Unë i kam kushërinj nga nëna ata. Njëri ka marrë gruan time, tjetri kunatën. Ata u zhduken sapo u zhduk vëllai im. Dyshimet e para i kam te gratë. Ato e dinë se çfarë ka ndodhur në shtëpinë e vëllait tim. Ata vinin si kushërinj në shtëpi. Ata vranë vëllanë, na morën dhe gratë. Dy vëllezërit morën ish-gruan time dhe ish-kunatën time. Ajo po të ishte e drejtë, do të kishte kërkuar për gjurmët e vëllait tim. Ato e dinë, të shtrëngohen nga policia. Ish-gruaja ime iku në Gjirokastër me Klodian Krosën në 1 prill të 2019-ës. Ish-kunata jetonte me qira në Bulqizë, me Klementin. Më thoshin njerëzit që ato kanë marrëdhënie me gratë tuaja.”, tha ai.
ARRESTIMI I KUSHERINJVE
Dy vëllezër nga Dibra Klodian dhe Kelmend Krusa, të dyshuar si të përfshirë në një vrasje në vitin 2018 u arrestuan nga policia në Gjirokastër. Operacioni u krye nga Policia e Dibrës, pasi kishin siguruar prova se dy vëllezërit Krusa të dyshuar të përfshirë në vrasje, strehoheshin në Gjirokastër. Gjatë kontrollit të banesave të dy vëllezërve u gjetën dhe u sekuestruan 2 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 thikë, 3 krehra, municion luftarak, 1 maskë dhe 3 aparate celularë. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të verifikuar nëse janë përdorur për vrasjen e vitit 2018 apo në ngjarje të tjera kriminale. Në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vrasjeje, si dhe për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar për këtë rast.
