Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) i bëri thirrje sot Këshillit të Sigurimit të OKB-së që t’i japë “dritën jeshile” përdorimit të forcës për të hapur Ngushticën e Hormuzit , pasi një projektrezolutë ndan vendet.

“Irani ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit , duke penguar kalimin e anijeve tregtare dhe tankerëve dhe duke vendosur kushte për të lejuar kalimin e disa prej tyre”, tha Jassem Al-Budaywi në takimin e parë të Këshillit të Sigurimit mbi bashkëpunimin me GCC-në, i cili përfshin Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Katarin, Kuvajtin dhe Omanin.

“Ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit të marrë përsipër përgjegjësitë e tij dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur korridoret detare dhe për të siguruar lundrimin ndërkombëtar”, shtoi ai.

Këshilli i Sigurimit me 15 anëtarë ka diskutuar për rreth dhjetë ditë një projektrezolutë të paraqitur nga Bahreini, me të cilën OKB-ja do t’i jepte miratimin e saj një vendi ose një koalicioni vendesh për të përdorur “të gjitha mjetet e nevojshme” për të siguruar lirinë e lundrimit në Hormuz.

Megjithatë, kjo ide nuk gjen dakordësi me të gjitha vendet. Burime diplomatike thanë se Rusia, Kina dhe Franca, të cilat kanë të drejtë vetoje, shprehën kundërshtime të forta, pavarësisht shumë ndryshimeve në tekst. “Ne duam një vendim të Këshillit që do ta trajtojë situatën në mënyrë gjithëpërfshirëse, në rrënjët e saj, jo një vendim të anshëm dhe të pabalancuar”, komentoi Anna Efstigneeva, zëvendëspërfaqësuese e Rusisë në OKB.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se një operacion ushtarak për të “çliruar” Hormuzin do të ishte “jorealist”.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha se sulmi amerikano-izraelit ndaj Iranit ishte një “shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare” dhe theksoi se Këshilli i Sigurimit “duhet të parandalojë përshkallëzimin e konfliktit”.

Wang Yi i bëri këto komente pas bisedimeve me homologët e tij nga Arabia Saudite, Gjermania dhe BE-ja.

“Sulmi ushtarak i nisur nga SHBA-të dhe Izraeli ndaj Iranit nuk u autorizua nga Këshilli i Sigurimit dhe shkel qartë ligjin ndërkombëtar”, i tha Wang Ministrit të Jashtëm gjerman Johannes Vandeful. “Këshilli i Sigurimit duhet të përqendrohet në zgjidhjen e situatës, jo në dhënien e një pamjeje legjitimiteti veprimeve ushtarake të paautorizuara dhe sigurisht jo në përkeqësimin e mëtejshëm të konfliktit”, tha ai në një telefonatë të veçantë me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaya Kallas.

Kina është një aleate e ngushtë e Iranit dhe blerësi kryesor i naftës së tij, pjesa më e madhe e së cilës kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ajo mban marrëdhënie ekonomike me vendet e Gjirit dhe ka kritikuar vazhdimisht sulmet e Teheranit ndaj fqinjëve të saj. Në bashkëpunim me Pakistanin, Pekini ka paraqitur një plan me pesë pika për të zgjidhur krizën.

Një version i pestë i draftit iu shpërnda sot këshillit prej 15 anëtarësh.

“Shpresojmë që të kemi një qëndrim të unifikuar në votimin që do të zhvillohet nesër (e premte), me vullnetin e Zotit”, tha Abdullatif bin Rashid Al Zayani, ministri i jashtëm i Bahreinit, i cili kryeson këshillin këtë muaj.

Ambasadori i Bahreinit në OKB, Jamal Alrouaie, mbrojti propozimin e vendit të tij, duke denoncuar “terrorizmin ekonomik” të Teheranit.

Ndërsa në thelb lejon përdorimin e forcës “në Ngushticën e Hormuzit dhe ujërat ngjitur, duke përfshirë ujërat territoriale të shteteve bregdetare”, drafti i fundit specifikon se masa të tilla duhet të jenë “me natyrë mbrojtëse”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb