Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i ftuar në studion e News24, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për kundërshtimin e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, masë e vendosur me kërkesë të SPAK.
Sipas Kaprit, ky vendim shënon fundin e karrierës politike të Ballukut dhe zhvendos betejën politike drejtpërdrejt te kryeministri. “Balluku e mbylli karrierën politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tani bëhet fjalë për fatin e Ramës”, u shpreh ai.
Kapri tha se Rama po përdor çdo mjet për të mbrojtur veten përballë drejtësisë, pasi, sipas tij, rrezikohet e ardhmja e tij politike. “Rama po luan çdo gur në betejën e tij me drejtësinë në vend. Kjo betejë u bë që nesër gjykata të mos kërkojë pezullim për anëtarë të qeverisë”, theksoi deputeti i Partisë Mundësia.
Duke komentuar paralajmërimet e fundit të kryeministrit për ndryshime ligjore, Kapri u shpreh skeptik për efektin e tyre. Ai deklaroi se çdo ndryshim i mundshëm në Kodin Penal do të ishte i pavlefshëm dhe i pazbatueshëm.
“Në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese thuhet qartë se, sipas Kushtetutës, edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen përgjegjës nëse e shkelin atë. Nëse gjykata e sheh të arsyeshme se një ministër apo edhe kryeministri mund të ndikojnë në drejtësi apo të prishin prova, ata mund të pezullohen nga detyra”, tha Kapri.
Sipas tij, edhe në rast se mazhoranca do të votonte ndryshime në Kodin Penal, ato nuk do të kishin efekt praktik. “Mazhoranca edhe mund të votojë Kodin Penal, por ai është i pazbatueshëm, pasi Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se nëse Gjykata Speciale e sheh të arsyeshme, mund të pezullojë edhe kryeministrin”, përfundoi Kapri.
