Në takimin me koordinatorët e Tiranës kryetari Fatmir Mediu vlerësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë dhe pse pjesërisht “vendimin e Edi Ramës për të penguar opozitën të bëjë fushatë në emër të pandemisë”.

Mediu theksoi se në respekt të punës që bëjnë mjekët, personeli i shërbimit shëndetësor dhe në respekt të jetës së njerëzve, të luftës kundër pandemisë, PR respekton të gjitha masat që kanë të bëjnë me distancimin social dhe elementë të tjerë që luftojnë apo mbrojnë nga pandemia, por nuk mund t`i bindet një urdhri tërësisht politik të qëllimshëm, të provuar dhe nga Gjykata Kushtetuese tashmë, që pranoi në mënyrë të pjesshme kërkesën e Partisë Republikane për të shfuqizuar urdhrin e qeverisë apo të grupit të ekspertëve.

“Mendoj që me këtë kërkesë Partia Republikane dëshmon që ndërtimi i shtetit dhe mbrojtja e lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, jo vetëm është në themel të filozofisë sonë politike, por duhet të qëndrojë në themel të funksionimit të shtetit dhe sidomos të qeverisjes së nesërme të Aleancës për Ndryshim, të koalicionit të shqiptarëve për të përmbysur regjimin e korruptuar të Edi Ramës.
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar në tërësi urdhrin e ministrisë si antikushtetues, pra urdhrin e Edi Ramës dhe jo të ministrisë, dhe mesazhi që në gjykimin tim, që i dërgon qeverisë është ‘rishiko masat sepse ato masa jo vetëm kanë zgjatur së tepërmi, por janë tërësisht të ekzagjeruara dhe janë në mospërputhje me Kushtetutën dhe liritë dhe të drejtat e qytetarëve’.
Mendoj që Gjykata Kushtetuese në një mënyrë i ka dhënë të paktën një goditje qeverisë për veprimet që ka bërë, tërësisht të paligjshme”, deklaroi Mediu.

Së dyti, ai tha se vendimi nuk ka qenë unanim, pra ka qenë fryt i një kompromisi ndërmjet gjyqtarëve, të cilët mund të kenë pasur pozicione të kundërta, por që janë afruar tek pranimi i kërkesës së Partisë Republikane.
“Është një rol i Gjykatës Kushtetuese për të vendosur qeverinë përballë përgjegjësisë, por edhe për të mos e goditur tërësisht paligjshmërinë e saj.
Duket qartësisht që Edi Rama ka qëllim për të vazhduar manipulimin e zgjedhjeve, duke deklaruar shifra tërësisht fals, duke u përpjekur që të vendosë limite me figura politike për të arritur qëllimin e vet politik, por brenda saj nuk është vota e qytetarëve, por është manipulimi që Edi Rama po përpiqet të ndërtojë në çdo qendër votimi, me grupe kriminale, me para të pista, me intimidim të votuesve, për të ruajtur pushtetin e krimit dhe korrupsionit”, deklaroi kreu i PR.

Sa i përket listës së Edi Ramës për deputetë Mediu vuri në dukje se ajo ka dy qëllime manipulimin e zgjedhjeve duke përfshirë në lista njerëz të inkriminuar dhe pastrimin e historisë dhe autoriteteve politike të PS dhe vendosjen e domininit të kultit të krimit dhe korrupsionit.

“Duket qartësisht se Edi Rama tashmë ka filluar dhe spastrimin total të Partisë Socialiste, nuk ka mbetur më as histori, as vlera të Partisë Socialiste, dhe nga ana tjetër përpiqet që të atakojë opozitën. Nuk është hera e parë që e shohim Edi Ramën, sa banal, sa bajat, deri në një kloun, të cilit nuk i ka mbetur gjë më, vetëm përpiqet që në mënyrë të vazhdueshme të tallet me jetën e qytetarëve shqiptarë, të tallet me qeverisjen, të tallet me institucionet”, tha ai.

Sipas Mediut, 25 Prilli është dita kur shqiptarët duhet të bashkohen për t`i dhënë fund kësaj historie, e cila është një histori e dhimbshme e këtyre 8 viteve që e ka çuar Shqipërinë mbrapa, e ka devijuar atë nga boshti i integrimit europian, për më tepër ka krijuar pasiguri, ka krijuar varfëri, ka krijuar largim masiv të shqiptarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb