BURREL

Kryeministri Edi Rama nga Burreli deklaroi se vendimi i presidentit Ilir Meta për të shtyrë datën e zgjedhjeve nuk ka të bëjë me bashkitë apo me këtë betejë.

Rama u shpreh se opozita dëshiron varrosjen e reformës në drejtësi, kurse ka shtuar se kryeministri dhe populli do të luftojnë për të vënë në vend drejtësinë edhe për “të mëdhenjtë”.

“Të gjithë ata që udhëheqin lëvizjen Rama ik do të ikin një nga një vetë. Jo sepse kështu them unë, as se ne duam ne, por sepse kjo që shikoni është dhe do të jetë përditë pasqyra e një të vërtete që shqiptarëve që janë populli më politikan në botë dhe që për politikë nuk ia hedh dot askush, do iu bëhet shumë e qartë. Kjo luftë nuk është për bashkitë.

Gjithë kjo orvatje për të dërguar Shqipërinë pas në rrëmujë, në sherr, bëhet sepse kërkohet Pazar i madh për të varrosur reformën në drejtësi. Kërkohet rrëmujë e kaos për të goditur jo mua personalisht, por për të goditur PS, e cila ka qenë është dhe do të mbetet në mbështetje të reformës në drejtësi, për të kaluar nga ligjet te gjyqet. Është nevoja e madhe e shqiptarëve për të parë se bëhet drejtësi, te drejtësia që nuk pyet më sa më i madh je apo sa i vogël je. Ata duan që ta fusin këtë vend në kaos. Me logjikën e djeshme Ilir Meta mund të bëjë dekret që të shpallë luftë Amerikës, por ne nuk mund ta pranojmë.

Ata vazhdojnë sikur ne duam të vendosim diktaturën etj. Të gjitha këto janë për të tërhequr për hunde të gjithë ata që besojnë ata. Ne duam që të vendopsim popullin mbi partitë. Ne jemi këtu për të thënë se kush është pakicë e do të bëhet pakicë, nuk ka shans tjetër përpos se të vras veten politikisht. Ata vetëm gënjejnë. Unë jam pengesa midis jush dhe atyre. Të jeni të bindur se zgjedhjet e 30 qershorit, me kontributin e çdo qytetari që do drejtësi, do të jetë fillimi i fundit të tyre politik”, tha Rama.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb