TIRANË

Partia Demokratike ka kallzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shkeljet ligjore që sipas saj ka kryer institucioni i Bashkisë Durrës, që drejtohet nga PS.

Në kallzim, theksohet se Bashkia Durrës ka shkelur ligjin zgjedhor dhe vendimin e KQZ, që ndalon miratimin ose nxjerrjen e akteve ligjore ose nënligjore me efekt financiar, 4 muaj para zgjedhjeve.

Në kallzimin që mban firmën e kreut të degës së PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferaj, theksohet se në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Durrës është miratuar vendimi për 8 milionë e 800 mijë lekësh për koncesionin e varrezave të qytetit bregdetar

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me një “miratim” të detajuar të të gjitha kritereve të nevojshme për zhvillimin e procedurës së prokurimit. Ndërkohë që Kodi Zgjedhor ndalon majde dhe vetë “propozimin” e një akti ligjor dhe/ose nënligjor, nëpërmjet të cilit mund t’i jepet pasuria publike një subjekti privat. Këto ndalesa janë shpjeguar hollësisht edhe nga Vendimi i Komisionit Rregullator”

Duke vlerësuar vendimin e Këshillit Bashkiak Durrës tërësisht në shkelje të ligjit, demokratët kërkojnë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shqyrtojë kërkesën, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor dhe të vendimit që vetë ky institucion ka marrë më 24 Dhjetorin e kaluar për ndalimet e aktiviteteve publike dhe vendimeve me efekte financiare.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb