Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndaluar pjesërisht importin e shpendëve të prekur nga sëmundja e pseudopestit nga shtetet si Bullgaria e Polonia, si dhe të derrave të butë e të egër të prekur nga murtaja afrikane në vendet si Estonia, Letonia, Kroacia, Polonia, Estonia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Moldavia.
Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare, nënvizohet se ndalohet importi i shpendëve të gjallë shtëpiakë, zogjve mishit të freskët, materialit biologjik të shpendëve të pashoqëruar me test PCR, të kryer 14 ditë përpara mbledhjes, që vërteton mosprezencën e virusit të pseudopestit, vezëve dhe produktet e vezëve të shpendëve, ku nuk është siguruar shkatërrimi i virusit. Importet nga shtetet e Bullgarisë, Polonisë dhe Spanjës lejohen, ndërkohë, nga zona dhe kompartamente të cilat nuk kanë pasur njoftim të sëmundjes së pseudopestit të shpendëve për 12 muajt e fundit.
Po ashtu, me vendim të ministres Anila Denaj, është ndaluar importi i kafshëve të gjalla të llojit derra të butë dhe të egër, mishi i freskët dhe produktet e tij, materiali biologjik dhe embrionet e kafshëve të gjalla të llojit derra, duke përjashtuar mishin në një kontenier të vulosur hermetikisht, xhelatinën, ushqimin e thatë të kafshëve shtëpiake dhe vakteve proteinike.
Ndërkaq, Ministria ka ndaluar importet nga Italia, Serbia, Greqia, Kosova dhe Kroacia të kafshëve të gjalla të llojit ruminantë dhe kamelidë të prekur nga sëmundja e gjuhës blu.
