TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot vendimin për të mos aplikuar fashën e 800 kilovatëve nga nesër, 1 tetori.

Rama tha se pas një diskutimi që kemi zhvilluar mbrëmë deri vonë është vendosur të mos hyjë në fuqi, nisur nga reshjet dhe kursimi i energjisë.

Ai deklaroi se në 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kw, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17, 000 Kwh, sot është rreth 11, 000 Kwh.

“Siç e kemi njoftuar, nga 1 tetori, d.m.th nga nesër është planifikuar hyrja në fuqi e fashës së konsumit 800 Kw mbi çmimin e mbrojtur nga qeveria për konsumatorët familjarë. Kjo fashë synon nga njëra anë mbrojtjen në vazhdimësi të 96% të familjeve, të cilat edhe gjatë dimrit nuk e kalojnë kufirin e 800 Kw.
Nga ana tjetër, fasha synon që 4% e abonentëve, të cilët e tejkalojnë këtë kufi dhe konsumojnë afro 20% të të gjithë sasisë së energjisë, të paguajnë me çmimin real çdo kë mbi kufirin e 800 Kw.
Kjo nuk është një shpikje e jona, por një metodë e ndjekur nga plot vende për të nxitur kursimin e energjisë në këtë kohë kaq të zymtuar botërisht prej inflacionit të luftës, si dhe për të mos paguar nga taksat e të gjithëve, mbrojtjen e çmimit për konsumin e lartë të një pakice”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se kursimi i energjisë është arma kryesore për ta kaluar këtë dimër pa kufizime energjie!

“Këtë nuk e them unë, por e thotë logjika e kësaj krize globale të shkaktuar nga lufta mes dy prej furnitorëve më të rëndësishëm të botës me energji, grurë e jo vetëm, dhe e përsërisin të gjitha qeveritë e Europës.
Disa ndër ne këtu në Shqipëri thonë se vendi ynë s’ka lidhje me krizën energjetike, sepse ka ujë dhe ka hidrocentrale sa të duash, por as e para dhe as e dyta nuk janë të vërteta.
Burimet ujore varen nga reshjet, por edhe sikur ky vit të jetë ndryshe nga tre vitet e fundit rresht që kanë qenë vite rekordesh negative për sasinë e reshjeve, sistemi ynë energjetik, me hidrocentralet plot e përplot, plotëson vetëm 75% të nevojave për energji.
Ne siç e keni parë po ecim, dhe po ecim sipas planit që të arrijmë të plotësojmë 100% të nevojave me prodhim të brendshëm energjie brenda këtij 10-vjeçari, dhe për ta bërë Shqipërinë një vend energjetikisht sovran si dhe eksportues neto të energjisë.
Por pikërisht se hë për hë nuk i plotësojmë dot të tëra nevojat, duhet të vazhdojmë të dalim në tregun ndërkombëtar, aty ku goditen të gjitha vendet e Europës nga çmimet çmendurake të energjisë në këtë kohë lufte”, u shpreh Rama.

Ai deklaroi se ai dhe qeveria, janë këtu, “jo vetëm për të garantuar mbrojtjen e çmimit të energjisë së konsumatorëve familjarë e të bizneseve dhe furnizimin e pandërprerë të tyre me energji, por edhe për të mos lënë asgjë pa bërë, që barra faktike dhe psikologjike e kësaj lufte, dhe e inflacionit që ajo ka sjellë, të lehtësohet sa më shumë”.

“Pa dashur t’ju marrë kohë e t’ju lodh me shumë fjalë, jam këtu për t’ju thënë se sot kam një lajm pozitiv pas një diskutimi që kemi zhvilluar mbrëmë deri vonë.
Në 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kw, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17, 000 Kwh, sot është rreth 11, 000 Kwh”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: