TIRANE- Në një kohë kur sot ishte caktuar seanca gjyqësore ku do shqyrtohej ankimimi kundër vendimit për sekuestron e pronave të Klement Balilit, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka shtyrë gjyqin. ‘BalkanWeb’ mëson se shkak i shtyrjes është bërë kërkesa e avokates së familjes Balili, e cila kërkoi kohë për t’u njohur me aktet në fjalë. Në seancë ishte i pranishëm dhe vëllai i Balilit, Bashkim Balili, i cili kerkon qe “Santa Quaranta” t’i kthehet pasi është në pronësi të tij. Ndërkohë, seanca e radhës do të mbahet në 9 janar.
Gjykata për Krime të Rënda pranoi më 23 nëntor të këtij viti kërkesën e prokurorisë dhe i vuri sekuestro preventive pronave të Klement Balilit, i cilësuar nga mediat greke si Eskobari i Ballkanit.
Vendimi u dha në bazë të ligjit antimafia, për asete pasurore që i përkasin Klement Balilit dhe të afërmve të tij.
Përveç 20 apartamenteve në Sarandë dhe në Tiranë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestro preventive edhe për hotelin “Santa Quaranta”, pronë e vëllait të Klement Balilit. Sipas ligjit antimafia, nën hetim pasuror vendosen edhe të afërmit e të dyshuarit Balili. Klement Balili ka më shumë se një vit në kërkim, pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe krijim të organizatave kriminale.
(ed.me/BalkanWeb)
