Kritere të forta për ata që duan të punojnë taksistë në Tiranë. Çdo person apo subjekt që do të aplikojë në bashki për të marrë licencën, duhet të posedojë automjet të vitit të fundit. Ky
është një nga ndryshimet themelore të rregullores për funksionimin e shërbimit taksi, e cila nuk e kufizon më numrin e licencave që do të jepen.

Nga ana tjetër, vendos kushte të rënda për funksionimin e tyre, si ai për vitin e aplikimit, i cili duhet të jetë i njëjtë me vitin e prodhimit të automjetit.

“Mbështetur në rregulloren që është aktualisht në zbatim, strukturat e bashkisë, sipas nenit 8, pika 3 e rregullores, që nga viti 2009 kanë plotësuar numrin 1000 të licencave taksi që aplikonin mbështetur mbi vitin dysheme 2000, ndërkohë që subjektet të cilat aplikojnë mbi këtë numër, që të pajisen me licencë në shërbim taksi, kanë si kusht vitin e prodhimit, i cili duhet të përputhet me vitin e aplikimit”, citohet në relacionin që do të shqyrtohet nga Këshilli Bashkiak në mbledhjen e së
premtes, më 7 tetor.

Ky ndryshim nuk prek taksitë që janë të licencuara tashmë, por kjo nuk do të thotë që ata do t’ia hedhin lehtë. Kriter primar për ta është që automjeti i tyre të ketë një vjetërsi jo më shumë se 15 vite nga data që aplikojnë për t’u rilicencuar. Mes tyre, diferencën në rifitimin e licencës do ta bëjnë mjetet me teknologji të reja dhe ato që ndotin më pak.

NDRYSHIMET
Ndryshimet e reja fokusohen në kushtet teknike të mjeteve dhe kryesisht vitin e prodhimit, që ndikon direkt në komoditetin e përdoruesve të këtij shërbimi. Nga 2009­a e deri më tani rezultojnë mbi 1 mijë taksistë të licencuar që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kaos të plotë.

“Nga një verifikim paraprak i licencave të taksive dhënë nga ish­njësitë administrative që aktualisht janë pjesë e Bashkisë Tiranë, ka një shumëllojshmëri problematikash dhe përgjithësisht nuk ka pasur rregull në dhënien e licencave të shërbimit taksi”, thuhet në relacionin bashkëngjitur projektvendimit. Ndaj, Bashkia u ka vënë kusht atyre që aplikojnë të kenë automjet të të njëjtit vit në të cilin aplikojnë.

“Porosia e kryer në gjashtëmujorin e dytë të vitit paraardhës (e dokumentuar si e tillë) do të konsiderohet si “vit prodhimi” nëse aplikimi kryhet në tremujorin e parë të vitit pasardhës”, sqarohet në relacion.

Për rregulloren e re është marrë eksperienca e vendeve europiane, e cila nxit qarkullimin e mjeteve elektrike, hibride si dhe “Euro 6”, me ndotje minimale.

Në tabelën bashkëngjitur janë listuar kriteret për të fituar një licencë të re apo për t’u rilicencuar.

KUSHTET PËR DHËNIEN E LICENCAVE
1. Transporti i udhëtarëve në shërbimin taksi 4+1 dhe 8+1 vende lejohet vetëm me mjete të destinuara për transport udhëtarësh.

Subjektet që i nënshtrohen licencimit, mjeti duhet të plotësojë një nga kriteret e mëposhtme:
2. Për çdo aplikim të ri, mjeti duhet të jetë i prodhuar në të njëjtin vit
me vitin e aplikimit për licencim, si dhe specifikat teknike të mjeteve duhet të kenë një nga kushtet e mëposhtme:
a) Të jetë “Euro 6” ose një standard më i ri, nëse vendoset një i tillë, dhe i prodhuar në të njëjtin vit me vitin e aplikimit për licencim.
b) Të jetë “Elektrik” dhe i prodhuar në të njëjtin vit me vitin e aplikimit për licencim.
c) Të jetë “Hibrid” dhe i prodhuar në të njëjtin vit me vitin e aplikimit për licencim.
3. Porosia e kryer në gjashtëmujorin e dytë të vitit paraardhës (e dokumentuar si e tillë) do të konsiderohet si “vit prodhimi”, nëse aplikimi kryhet në tremujorin e parë të vitit pasardhës.
4. Në rastin e licencimit, mjeti nuk mund të jetë më i vjetër se 15 vite nga viti i aplikimit për rilicencim. (Panorama)
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: