TIRANË- Pas afro një dekade nga prezantimi i projektit për rijetëzimin e sheshit “Skënderbej” nga ana e kryebashkiakut të atëhershëm të Tiranës, Edi Rama, u vendos sot guri i parë.
Kryeministri, Edi Rama, si ideator i këtij projekti dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vendosën sot në mënyrë simbolike gurët e parë, duke shënuar nisjen e fazës finale për ndërtimin e sheshit “Skënderbej”, i konceptuar si një hapësirë publike kushtuar qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se projekti që po realizohet në qendër të kryeqytetit është bazuar në projektin e 2008-s të ideuar nga Edi Rama, ndërsa i është nënshtruar edhe dëgjesave me qytetarët, duke reflektuar ndryshimet e nevojshme për shkak të kohës që ka kaluar.
“Falë të gjitha konsultimeve publike, besoj do hyjë në histori si projekti më i konsultuar nga publiku dhe patëm disa ndryshime. Sot sheshi do të ketë 50% pllakë. E di që sheshi duket shumë i madh, por madhësia e tij në total është 28 mijë metra katrorë, që do të thotë që barazimi i pjesës së ngurtë me pjesën e gjelbërimit krijon një ekosistem, që është më i pranueshëm për dimrin e ftohtë dhe më i pranueshëm për verën që po bëhet gjithnjë e më e nxehtë”, tha Veliaj.
Ai shprehu bindjen se krijimi i hapësirave pedonale si sheshi “Skënderbej”, si sheshi “Nënë Tereza”, si parku qendror që po projektohet në bulevardin e ri, është përgjigjja më e mirë ndaj një qyteti që është urbanizuar tej mase.
Veliaj tha se një ndër simbolikat më të forta të sheshit do të jetë vendosja e gurëve nga e gjithë Shqipëria.
“Dy gurët e parë që do të vendosim sot me kryeministrin, njëri është nga Tropoja, tjetri nga Vlora, por do të kemi nga të gjithë trevat, përfshirë Çamërinë, Kosovën, Manastirin dhe gjithë zonat dhe krahinat e Shqipërisë, për t’u siguruar që kjo, jo vetëm është një metaforë dhe një simbolikë e bashkimit kombëtar, por edhe e faktit që Tirana është një shtëpi e hapur e të gjithëve. Një pjesë e investimit në shesh për të gjithë kritikët që thonë, “po hidhni paratë në Tiranë”, në fakt shumica e këtyre materialeve, e gurëve po blihen në zona të tjera të Shqipërisë”, tha Veliaj, ndërsa sqaroi se hapësira pedonale ka sjellë edhe një ulje të ndotjes në qendër të kryeqytetit.
Kryebashkiaku deklaroi se falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së pushtetit vendor nga Qeveria është bërë i mundur realizimi i disa projekteve të rëndësishme.
“Pavarësisht nëse janë kantiere të vogla ose të mëdha, një gjë është e rëndësishme: ky qytet e ka të lidhur fatin e tij me mënyrën se si funksionon qeveria. Duam apo s’duam ne, për mirë apo për keq, Qeveria e Shqipërisë dhe Bashkia e Tiranës, bashkëpunojnë nëse punët i shkojnë mirë qytetit. Ju e patë farë mirë kur erdhi një qeveri që nuk bashkëpunonte me Bashkinë e Tiranës, e patë fare mirë si u shkatërrua “Zogu i Zi”, e patë si u shkatërrua ky investim që mund të kishte përfunduar 5 vite më parë. Duhet të jesh naiv shumë i madh që të mos kuptosh që punët i shkojnë mirë Tiranës, kur Qeveria qendrore e Republikës së Shqipërisë e mbështet Bashkinë e Tiranës”, tha Veliaj.
Duke theksuar rëndësinë e mbështetjes që Qeveria qendrore i ka dhënë Bashkisë, Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që në 18 qershor të zgjedhin vijimësinë e investimeve dhe të projekteve për zhvillimin e Tiranës moderne.
“Pavarësisht se votimet janë 1 herë në 4 vjet, për Bashkinë, apo për qeverinë, për fatin e këtij qyteti, janë vendimtare mënyra sesi shkojnë votimet, si për Bashkinë ashtu edhe për qeverinë. E pamë se çfarë kosto degradimi dhe degjenerimi pësoi urbanistika në Tiranë dhe gjithë hapësira publike, gjatë kohës kur qeveria sabotonte Bashkinë apo më keq akoma, kur qeveria vodhi bashkinë, apo më keq akoma kur qeveria dhe bashkia fjetën gjumë në plaçkën që morën dhe që nuk ditën ta administronin. Çdo njeri në Tiranë që do ta shohë që Tirana të vazhdojë t’i ketë punët mirë, të vazhdojë të jetë një kantier, të vazhdojë të rritet vlera e pronës, të vazhdojmë të kemi cilësinë e kopshteve dhe shkollave dhe çerdheve që do të vijnë, është shumë e rëndësishme që në datën 18 qershor, Tirana të vazhdojë të mbështetet nga qeveria shqiptare që drejtohet nga Edi Rama”, tha Veliaj.
Projekti për rijetëzimin e sheshit “Skënderbej” krijon hapësira ndërveprimi midis qytetarëve dhe mjedisit publik, si edhe parasheh një seri me hapësira fleksibël e multifunksionale, që i ofrojnë Bashkisë dhe individëve mundësinë për ta gjallëruar e formësuar në mënyrë të vazhdueshme sheshin. Gjithashtu, ky shesh qendror është projektuar që simbolikisht të reflektojë unitetin kombëtar të shqiptarëve, duke vendosur materiale (gurë natyralë) dhe bimësi nga rajone të ndryshme të vendit tonë.
Projekti parashikon krijimin e një hapësire të gjelbër në 50% të sipërfaqes së sheshit, duke hijëzuar të gjitha akset kryesore të lëvizjes pedonale; mbjelljen e rreth 1500 pemëve të reja dhe mijëra bimë dekorative, shumëllojshmëri mjedisesh dhe hapësirash, e përbërë prej rreth 11 lulishtesh të ndryshme, veshja me gurë dekorativë e natyral nga të gjitha trevat shqiptare; si dhe ujitja dhe shatërvanët do të funksionojnë me sistem impianti ekologjik, duke filtruar dhe përdorur ujin e reshjeve.
(m.k/BalkanWeb)
