Operacioni amerikan i ekstradimit të Maduros, përvec elementëve sensacionalë të perfeksionit ushtarak, inteligjent e komunikativ, ka ngjallur debate dhe polemika në çdo cep të botës në disa aspekte të tjera. Së pari në atë të të drejtës ndërkombëtare nëse kemi të bëjmë me shkelje të sovranitetit të një shteti, e deri tek zhgënjimi i të majtës perëndimore mbi efektin surprizë Trump, që në emër të sloganit të tij “America First” ushtroi një ndërhyrje të tip “Maduro Out”.

Debati nuk ka qënë vetëm i natyrës së deklaratave të pothuaj gjithë aktorëve dhe shteteve në zë të rruzullit që nga Kina, Rusia, BE apo Anglia e Kolumbia dhe të tjera shtete të Amerikës Latine. Por mbi të gjitha ka shkaktuar përplasje verbale dhe vetë brenda SHBA, aty ku e majta demokrate në opozitë , përmes zërave të fortë të saj si Bernie Sanders, një kandidat i përjetshëm për kandidat për President, e quajti operacionin Maduro një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar. Pikërisht një demokrat i vjetër që përfaqëson cuditërisht partinë e Barack Obamës që drejtoi fushatën e Pranverës Arabe! Atëherë kur me ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë ose të tërthortë të administratës demokrate të SHBA-ve ndryshuan rregjimet në gjysmën e botës arabe, ose pothuajse ja dolën ta bënin. Por e majta këtë punë ka!

Dhe nuk ka se si të bënin përjashtim nga ky debat edhe studiot televizive shqiptare, ku për shkak se Big Brother nuk shfaqet falas të hënave dhe të martave, trecereku I ekspertëve të marrëdhenieve ndërkombëtare e politikave të sigurisë me diploma që nga letërsia e deri tek agronomia, dhanë mendimin e tyre të vyer për cështjen në fjalë! Por kjo është një histori tjetër. Por edhe në Shqipërinë tonë të vogël, opinionet u ndanë sipas ndasive përkatëse në të gjithë rruzullin. Një pjesë e quajtën operacionin special ndaj Maduros si sukses, një pjesë si të paqartë, e të tjerët si të rrezikshëm. Kategorinë e tretë e përfaqësuan më së miri në rang global Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse. Të dytën përgjithësisht disa vënde të Amerikës Latine e ndonjë zë I zbehtë europian, ndërsa të parën përkrahësit e SHBA dhe Trump si për shkak të bindjeve politike, ashtu dhe për shkak të aleancave ndërshtetërore me vetë SHBA. E për rrjedhojë edhe në mediumet shqiptare ju dha zë të treja qëndrimeve. Asgjë nuk është rastësi. Fatkeqësisht për interesin tonë kombëtar, qëndrimi ose kategoria e tretë ishin mjaft prezente në studio dhe portale.

Por ajo që vlen të analizohet është thelbi cështjes që lidhet me arsyet e operacionit të ekstradimit të Presidentit të Venezuelës, si I akuzuar penalisht nga drejtësia amerikane, akuza që I qëndruan kohës gjatë qeverisjeve të republikanëve dhe demokratëve. E që ka të bëjë më arsyet më së shumti politike e konjukturiale ndërkombëtare për atë cfarë përfaqësonte Maduro dhe qeverisja e tij, jo vetëm e korruptuar dhe e lidhur kokë e këmbë me narko-trafikun, por mbi të gjitha si një vend “levë” I Kinës, Rusisë e Iranit në oborrin e SHBA, në Amerikën Latine.

Në një ngjashmëri të madhe me rrezikun komunist gjatë Luftës së Ftohtë në Hemisferën Përendimore, ashtu sic e përcakton Doktrina Monroe, qeveria venezueliane prej kohësh përbënte kërcënim për interesat amerikane në atë pjesë të botës që është pjesë e pandarë dhe primare e sigurisë së vetë kombëtare. Këtë qasje kishte dhe administrata Biden. Dhe po flasim për SHBA, ose fuqinë botërore e cila që prej rënies së komunizmit ka drejtuar një sistem njëpolar të rendit ndërkombëtar. E duke qënë se ka drejtuar e vetme këtë sistem, nuk është ndjerë e rrezikuar nga rregjimi venezuelian packa se nën drejtimin e Chavez dhe Maduro kishte bërë “flip” prej vitesh në prehërin e Kinës, Rusisë e Iranit. Jo se SHBA nuk drejtonin edhe në atë periudhë rendin botëror, por që pas nisjes së konfliktit në Ukrainë e zgjatimit të tij në Lindjen e Mesme, si përpjekje të Kinës e Rusisë për të sfiduar rendin njëpolar, duket se fuqitë në rritje euro-aziatike po shtyjnë gjithnjë e më shumë në drejtim të multipolaritetit.

Pra një rend botëror me disa aktorë të ngjashëm për nga roli dhe fuqia. E ndërsa roli mund të jetë pretendim apo ambicie, fuqia është çështje fakti ose arritje e saj përmes demonstrimit të forcës. Dhe në situatën konkrete të rastit në fjalë, reagimi i sfidantëve Kinë dhe Rusi që e përdorën Maduron si “kokë turku” kundër SHBA-ve, ishte veçse retorik. Dy deklarata të ashpra për “shkelje flagrante të sovranitetit të Venezuelës” dhe kërkesën “për lirim të menjëhershëm të Maduros”. Deklarata të cilave SHBA ju përgjigjën me qëndrime të qarta dhe të palëkundura si të presidentit Trump dhe Sekretarit të Shtetit Rubio në emër të mbrojtjes së interesit të SHBA në Hemisfrën Perëndimore dhe më keq akoma me nxjerrjen para gjykatës së vetë Maduros.

Pra me pak fjalë demonstrimit të forcës amerikane në Venezuelë, ata që po duan ti sfidojnë hapur që prej 3 vitesh ju kundërpërgjigjën me dy deklarata dhe kaq! Por shprehja se “fjala vret më shume se pushka” nuk ka asnjë vlerë në realpolitike. E kur ligji ndërkombëtar bie sic e kërkuan vetë në Ukrainë e Palestinë Rusia me Kinën e Iranin, vendin e zë forca ose nevoja Hobsiane për hegjemoni për t’i shpëtuar kaosit nën parimin e “homo, homini, lupus est”, aq mirë të përshkruar tek Levatiani, 4 shekuj më parë.

E gjitha kjo dinamikë po zhvillohet ndërkohë që Hamas ne Gaza, Hezbollah në Liban e Asadi në Siri si leva të Rusisë e Kinës morën goditje të rënda apo fatale në Lindjen e Mesme, në një përpjekje të dështuar 2 vjecare për të dobësuar pozitën e SHBA, Izraelit e aleatëve të tyre në atë rajon. Apo ndërkohë që tensionet në detin e Kinës Jugore rreth ishullit të Tajvanit nuk tejkalojnë dot incidente të izoluara detare apo stërvitje kërcënuese të Kinës, por që nuk përfaqësojnë avantazh të dukshëm force ndaj SHBA për sa kohë qëndrojnë në këto nivele.

E mos harrojmë që ndërkohë po nxirren jashtë loje investimet kineze në disa porte detare në evropë ashtu dhe sic ka ngecur iniciativa tregtare kineze “Belt and Road”, për të ringjallur Rrugën e Mëndafshit. Këto janë shenja të qarta se ambiciet e Kinës kanë shkuar përtej mundësive të saj reale për tu shndërruar nga ekonomi në rritje në fuqi botërore ekuivalente me SHBA. Sepse një gjë është të kesh qindra baza ushtarake nëpër botë sic ndodh me SHBA-të, e ndryshe është kesh ca porte kontejnerësh lartë e poshtë nëpër Afrikë apo ndonjë koncension tregtar në Greqi.

Në përfundim mund të thuhet se dilema që lexohej një vit më parë në faqet e prestigjozes Foreign Affairs me titullin “Multipolariteti një mit apo realitet”, peshon nga e para. Kina dhe Rusia e Irani ende nuk janë të qarta nëse ambicia e tyre per një rend të ri multipolar është ëndërr apo realitet. E ndërkohë që ëndërrojnë “alla grande”, humbin keq në realitet. Dhe gjithë ky keqkuptim po ndodh ndërkohë që BE I cili mund të luajë një rol shumë më vendimtar krah për krah SHBA, gjëndet në një situatë paqartësie jo shumë të rastësishme sipas traditës evropiane. Por koha rrjedh e sqaron edhe ambiguitetet që gjen rrugës. Një gjë është e rëndësishme të thuhet. Se SHBA dhe aleatët e tyre nëpër botë ende përfaqësojnë fuqinë njëpolare që ka dominuar rendin botëror që nga 1991 e këtej. Mjafton të pyetet Maduro!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: