TIRANË

Kryeprokurori Olsian Çela kërkon hetim për punën dy prokurore të Dibrës dhe drejtuesin e Prokurorisë në këtë rreth.

Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela bazuar në ligjin nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, në datën 21.05.2021 i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës për prokuroren Belina Zeneli dhe prokuroren Xhoana Mehmetaj në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër pasi janë konstatuar veprime të cilat mund të përbëjnë zvarritje të rëndë të veprimtarisë procedurale, si dhe shkelje të dispozitave ligjore urdhëruese të Kodit të Procedurës Penale.

Pjesë e këtij inspektimi kërkohet të jetë dhe veprimtaria drejtuese e drejtuesit të prokurorisë Rifat Kojku, për mënyrën se si janë ushtruar kompetencat e dhëna nga ligji Nr 97/2016, në lidhje me masat e marra nga ana e tij, për të parandaluar situatën e krijuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.

Prokurori i Përgjithshëm mbështet të gjitha nismat që kontribuojnë në mirëfunksionimin e shërbimit të prokurorisë në të gjitha nivelet, duke synuar rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve prokurorë gjatë ushtrimit të detyrës dhe zhdukjen e kulturës së pandëshkueshmërisë brenda institucioneve të drejtësisë.

Konkretisht sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga “BalkanWeb” për prokuroren Xhoana Mehmetaj nga ana e Drejtorisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në datë 26.01.2021, janë paraqitur pranë Prokurorit të Përgjithshëm, disa konstatime në lidhje me këtë material procedues. Këto konstatime kanë të bëjnë me moskryerjen e asnjë veprimi procedural nga ana e prokurores Xhoana Mehmetaj, për një kohë të gjatë në lidhje me këtë procedim penal. Konkretisht Prokuroria e rrethit Gjyqësor Mat i ka kaluar aktet e këtij kallëzimi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, më datë 30.06.2020. Këto akte kanë mbërritur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër më datë 10.07.2020, kohë kur është regjistruar në këtë prokurori me Nr.421, datë 10.07.2010.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër, nuk ka kryer asnjë veprim që prej kësaj date e deri më datën 14.01.2021, kohë kur ka disponuar me kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për kompetencën. Pra, rezulton se për rreth gjashtë muaj, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër, e ka mbajtur materialin pa asnjë veprim, aq më tepër që procedimi ne fjalë ka natyrë proaktive dhe ka kërkuar kryerjen e veprimeve hetimore urgjente për dokumentimin e fakteve të pretenduara. Një vonesë e tillë mund të sjell pamundësinë e dokumentimit të këtij fakti penal.

Nga ky konstatim dhe nga analiza e të dhënave statistikore të dala nga ky raport, dilet në përfundimin se ngarkesa e referuar për prokuroren Xhoana Mehmetaj, është nën mesataren e ngarkesës vjetore të prokurorëve të kësaj prokurorie. Konkretisht prokurorja Xhoana Mehmetaj, ka përfunduar 52 procedime penale kundrejt një numri 3 herë më të madh të procedimeve të përfunduara nga dy prokurorët e tjerë të kësaj prokurorie.

Sa i përket prokurores Belina Zeneli, gjithsej kjo prokurore, ka përfunduar 20 procedime penale nga 207 që ka patur nën hetim, numër ky disa here më i vogël se totali i procedimeve penale të përfunduara nga kjo prokurori gjatë vitit 2020.

Ajo që bie në sy nga analiza e raportit vjetor është fakti se prokurorja Belina Zeneli, nuk ka mosfilluar asnjë material kallëzues apo referues gjatë vitit 2020, megjithëse ka mbartur një numër prej 399 materialesh procedurale, ende të paregjistruara. Një numër kaq i madh materialesh të paregjistruara, dukshëm përbën mosangazhim procedural të kësaj prokurore, për të vendosur brenda 15 ditësh, mosfillimin apo regjistrimin e procedimit penal. Zvarritja e kryerjes së këtij veprimi procedural, dhe në rastet kur mund të ketë vend për regjistrim procedimi, moskryerja e veprimeve hetimore për këto materiale, dukshëm ka cënuar interesat e subjekteve të interesuara. Nga ana e tjetër, mosregjistrimi i 399 materialeve hetimore, dhe mbajtja e tyre në dorë, rezulton nisur nga numri i madh i tyre, të jetë rezultat i akumulimit prej një kohe të gjatë dhe moskryerja e asnjë veprimi nga ana e prokurores Zeneli.
Një situatë e tillë, mendojmë që ka ardhur dhe nga mosushtrimi i funksioneve të ngarkuara me ligjin Nr 97/2016 dhe nga ana e drejtuesit të prokurorisë. Konkretisht në ligjin Nr 97/16 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, parashikohen këto kompentenca për drejtuesin e prokurorisë.

Nga sa rezulton nga analizimi i të dhënave të pasqyruara, në raportin vjetor të prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, drejtuesi i prokurorisë nuk i ka ushtruar këto kompetenca ligjore, duke sjellë si pasojë mosushtrimin e ndjekjes penale, për një numër tepër të madh materialesh procedurale, si dhe për zvarritjen e një numri procedimesh penale, të cilat kanë qënë në hetim nga prokuroret Blerina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj.

Nuk rezulton të jenë nxjerrë udhëzime jodetyruese nga drejtuesi për apo të jenë kërkuar informacion për çështje. Nuk rezulton të jenë kontrolluar këto materiale hetimore, të pa vëna në lëvizje nga ana e drejtuesit me synimin për të udhëzuar prokurorin të regjistrojë apo kryejë veprime në ato materiale ku një gjë e tillë është e nevojshme. Nuk rezulton të jenë marrë masa për evidetimin e këtyre problematikave dhe adresimin e tyre në organet e ngarkuara me inspektimin e punës së prokurorëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb