Deputetja australiane e ekstremit të djathtë, Pauline Hanson, u pezullua nga Senati për shtatë ditë këtë të hënë, pasi hyri në sallën parlamentare e veshur me burka, në një përpjekje për të promovuar fushatën e saj për ndalimin e mbulesës myslimane në publik. Veprimi i saj shkaktoi reagim të ashpër dhe zemërim mes ligjvënësve.

Hanson u paraqit me burka menjëherë pasi iu refuzua kërkesa për të paraqitur një projektligj që synonte ndalimin e burkës dhe mbulesave të tjera që mbulojnë të gjithë fytyrën në hapësirat publike në Australi. Kjo ishte hera e dytë që senatorja shfaqej në parlament me një mbulesë të tillë, të përdorur tradicionalisht nga disa gra myslimane.

Reagimi i ashpër i Senatit

Pasi Hanson hyri në sallë e veshur me burka, senatorët reaguan egërsisht, ndërsa seanca u pezullua kur ajo refuzoi ta hiqte. Ministrja e Jashtme dhe kryetarja e grupit parlamentar të Laburistëve në Senat, Penny Wong, e dënoi fort veprimin, duke e quajtur atë.

“Një shfaqje të përçmuar dhe sipërfaqësore që dëmton strukturën tonë shoqërore. Ajo ka implikime serioze për shumë nga qytetarët tanë më të prekshëm. Senatorja Hanson ka tallur dhe fyer një fe të tërë, e praktikuar nga pothuajse një milion australianë… Nuk kam parë kurrë askënd kaq fyes ndaj Parlamentit.”


Senati e kritikoi Hansonin me një votim 55–5, duke e dënuar në mënyrë simbolike për sjellje të papranueshme.

Konteksti politik
Partia e Hansonit, One Nation (Një Komb), aktualisht mban katër vende në Senat, duke shënuar rritje në zgjedhjet e majit. Kjo vjen në një klimë politike të karakterizuar nga rritja e diskursit të ekstremit të djathtë dhe politikave anti-imigracion në Australi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb