Avokati Erjon Kanxheri, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si administrata tatimore trajton bizneset, duke vënë theksin te mungesa e standardeve të qarta dhe transparencës në vendimmarrje.
Sipas tij, çelësi i problematikës qëndron te standardi i kontrollit tatimor. “Një fenomen i caktuar tatimor nuk ka një standard të unifikuar se si trajtohet”, u shpreh Kanxheri, duke shtuar se kjo sjell paqartësi dhe trajtim të pabarabartë për bizneset.
Ai theksoi se për të arritur një logjikë të njëtrajtshme në vendimmarrje, duhet të analizohen vendimet e apelimit tatimor ndër vite. Por, sipas tij, këto vendime nuk publikohen. “Apelimi tatimor nuk i publikon vendimet. Po të publikoheshin, do të rezultonte se nuk është vepruar me të njëjtin standard”, deklaroi ai.
Në këtë situatë, Kanxheri paralajmëroi se inspektorët tatimorë kanë hapësirë të gjerë diskrecioni. “Inspektori në këtë pikë mund të bëjë çfarë të dojë”, tha ai, duke shtuar se gjobat dhe detyrimet e padrejta jo vetëm dekurajojnë biznesin, por edhe pamundësojnë zhvillimin normal të aktivitetit ekonomik.
Sipas avokatit, trajtimi i pabarabartë nga organi tatimor cenon drejtpërdrejt sigurinë juridike. “Çdo biznes niset nga një kuadër i caktuar ligjor dhe pret një përfundim të bazuar në të njëjtin standard. Kur kjo nuk ndodh, pritshmëria ligjore cenohet plotësisht”, theksoi ai.
Kanxheri përmendi gjithashtu ekzistencën e një strukture brenda Drejtorisë së Tatimeve që merret me interpretimin e çështjeve specifike, por sqaroi se këto interpretime nuk janë publike. Sipas tij, ka qindra raste kur inspektorë të ndryshëm trajtojnë të njëjtat çështje në mënyra të ndryshme, madje edhe në kundërshtim me ligjin, pa pasoja për veprimet e tyre.
