TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka verifikuar listat e kandidatëve për deputet të dorëzuar nga partitë politike në vend, për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Në një deklaratë për mediat, KQZ thekson se 18 kandidatë kanë rezultuar se kanë fshehur të dhënat në formularë.
Në listën e publikuar nga KQZ, rezulton se në total 18 kandidatë, përkatësisht nga, LSI, PDIU, PDS, PKD, LIBRA dhe Mega, kanë kandidatë të cilët në të shkuarën kanë pasur ‘punë’ me drejtësinë, por që nuk ndalohen të kandidojnë.
“Me probleme me formularët kanë rezultuar 3 kandidatë të LSI, dy kandidatë të LIBRA-S, tre kandidatë të PDIU”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Nga LSI, Klajdi Qama, i shtati i LSI në Berat, është gjobitur me 120 mijë lekë në vitin 2010 me akuzën e kanosjes. Sokol Ponari, i dyti në Kukës, është dënuar me dy muaj burgim në vitin 2014 me akuzën e kundërshtimit të punonjësit të policisë. Ndërsa Ylli Shehu, deputeti aktual dhe kandidati i 9-të në Tiranë, në vitin është dënuar me gjobë për kontrabandë mallrash.
Edhe nga partia LIBRA, PDIU, Mega, PDS e PDK kanë në listat e tyre, kandidatë me dënime jo të formës së prerë, por për vepra penale, si “falsifikim i dokumenteve”, ndërtim pa leje, vjedhje, dhe kundërshtim i forcave të policisë.
Sakaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon verifikimin e të shkuarës së kandidatëve për deputetë, të cilët preken nga kufizimet e ligjit të dekriminalizimit, si dhe plotësimin e kuotave gjinore. Ky proces vjen përpara miratimit të listave, që do të përfundojë më 9 maj.
Verifikimi i kandidatëve për deputet bëhet në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
(el.sp/BalkanWeb)
