Sali Berisha ka zhvilluar sot një mbledhje me Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Kreu i PD tha se tashmë kjo parti është më e fortë se kurrë dhe se pavarësisht goditjeve, kanë zgjedhur që të qëndrojnë.

Berisha tha se vështirësi të mëdha i presin, por kanë kapacitet për t’i përballuar.

“Sot ne vijmë në këtë mbledhje më të fuqishëm se kurrë në ekzistencën tonë. Kaluam disa beteja unike në historinë e një force politike. U gjendëm në rrethana në të cilat ne kishim parashikuar që kurrë më të mos ishim ajo forcë politike që kemi qenë.

U gjendëm në rrethana në të cilën u vërsulën ndaj nesh me tërbim mafia qeveritare, më e rrezikshme në Europë, mafia e Edi Ramës. Besëprerët në gjirin e kësaj partie, mafia më e rrezikshme ndërkombëtare. Ne bëmë një zgjidhje apo zgjedhje epike! Vendosëm të qëndrojmë.

Ne nuk u mposhtëm. A ishim ne prej shkëmbi? Jo! por më e fortë se shkëmbi, janë idealet që ne besojmë, dhe kjo është arsyeja që na mbështesin ne.

U ngritën në këmbë, nuk u mposhtën, nuk u përkulën, refuzuan çdo kërcënim… ndaj u them se kjo provë e madhe na faktoi ne se ishim njerëz të pamposhtur në idealet tona.

Kjo nuk ishte një betejë për veten tonë, por për çdo shqiptar, i cili beson se vendi duhet të ketë sistem demokratik dhe se pa opozitë nuk ka demokraci.

Kjo ishte një betejë për çdo shqiptar. Kurrë ndonjëherë nuk kemi sakrifikuar më shumë për të gjithë shoqërinë tonë, sesa në këtë udhëtim. Sot jemi në një etapë të re të betejës. Dështoi për asgjësimin tonë. Rrugën nuk e kemi të shtruar, vështirësi të mëdha na presin, por jemi më të fortë dhe kemi çdo potencial për t’i kapërcyer”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb