Partizani akoma nuk e ka shfrytëzuar të gjithë potencialin që ka në skuadër. Kjo edhe për shkak të dëmtimeve të ndryshme, që i kanë ndjekur çdo javë të kuqtë.

Kështu disa futbollistë akoma nuk kanë provuar shijen e minutave të para në kampionat. Milinkoviç e ka cekur po ashtu faktin, që potenciali i plotë i të kuqve akoma nuk është shfaqur. Në anën tjetër, koha nuk premton më asgjë. Janë disa futbollistë të cilët presin minutat e para.

NË STOL- Kote, Çipi, Sulo dhe Rifa akoma nuk kanë fituar minutat e para dhe pse kanë qenë të gatshëm në stol. Sulo është si element që llogaritet për Partizanin B. Bashkë me Koten dhe Rifën kanë dhënë kontributin e tyre tek akademia dhe e njohin mjaft mirë ambientin e kuq. Kote është rast më i veçantë, pasi ka treguar potencialin e tij me ekipin e parë dhe ka tashmë plotësisht besimin e klubit. Pjesa tjetër mund të japë kontribut të rëndësishëm edhe tek ekipi B, për të qëndruar në formë.

KEKO DHE NONDI- Milinkoviç nuk ka mundësinë që t’i përdorë Nondin e Kekon, edhe për disa muaj. Për aktivizimin e tyre mund të flitet në vitin 2026. Mesfushori dhe sulmuesi vuajnë dëmtime të rënda. Më pafat është Nondi, i cili nuk kishte as mundësinë e debutimit. Mesfushori u afrua si numër 6, mesfushor para mbrojtjes, dhe kur të rikthehet pritet të jetë forcë e rëndësishme për Partizanin.

KONTRERAS- Kolumbiani Kontreras u stërvit për më tepër se një muaj me ekipin e parë. Shqetësimi fizik i humbi mundësinë e debutimit. Kontreras llogaritet si element shumë i rëndëishëm tek ekipi B. Kështu nuk do të jetë çudi, që nëse spikat aty të llogaritet sërish nga Milinkoviç.

OGUNLEJE- Fantazisti i talentuar ishte në kamp me Nigerinë U-20 në prag të Botërorit U-20. Për shkak dëmtimi u kthye në Tiranë, ndërsa pret të ketë mundësinë e tij tek ekipi i parë. Hapësirat nuk kanë qenë të shumta deri tani, ndërsa Partizani ka paguar për kartonin e tij në Nigeri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb