Eliton Zhuniori mund të ndajë rrugët me Tiranën, pas një periudhe të shkurtër me bardheblutë. Lojtari, i cili erdhi këtë sezon nga Brazili, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e klubit ku është diskutuar mundësia e një ndarje konsensuale.

Ai nuk ishte në fushë për sfidën e fundit me Partizanin, ndërsa pas ndeshjes me Dinamon ka pasur bisedime të drejtpërdrejta për të gjetur një zgjidhje të përbashkët që të mos dëmtojë as lojtarin, as klubin. Palët kanë arritur një akord, dhe tani pritet vetëm konfirmimi zyrtar i largimit. Zhuniori ka treguar profesionalizëm dhe maturi, duke mos dashur t’i krijojë barrë klubit, edhe pse situata ka qenë e vështirë për të.

Nga ana sportive, 26- vjeçari ka zhvilluar këtë sezon 10 ndeshje me Tiranën, ka shënuar 2 gola dhe ka qëndruar në fushë 607 minuta. Golat e tij u regjistruan dy javë më parë, ndaj Vlorës dhe Flamurtarit, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në fazën e parë të sezonit. Lojtari kishte ardhur me pritshmëri të larta në klub dhe, megjithëse periudha e tij ka qenë e shkurtër, ka dhënë prova të aftësive të tij në repartin ofensiv.

Largimi i mundshëm i Zhuniorit do të jetë një ndryshim i rëndësishëm për Tiranën, që pritet të reagojë për të gjetur zëvendësimin e duhur në sulm para fazës së dytë të sezonit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb