Ndërkohë që vijon numërimi i votave preferenciale në qarkun e Tiranës, ish-ministrja Olta Xhaçka ka kaluar në avantazh duke siguruar deri tani mandatin parlamentar duke lënë pas me vetëm 1 votë kolegen e saj, Blerina Gjylameti. Xhaçka ka marrë gjithsej 5807 vota, ndërsa Gjylameti 5806.
Janë numëruar vetëm 20% e votave preferenciale të diasporës, gjë që pritet të sjellë edhe ndryshime.
Kandidati më i votuar në listën e Partisë Socialiste në Tiranë është Blendi Gonxhja me 22,398 vota, i ndjekur nga Erion Braçe me 21,364 dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, me 19,113 vota. Më tej renditen Fatmir Xhafaj me 12,677 vota, Ornaldo Rakipi me 9,683 dhe Anila Denaj me 8,783 vota.
Jashtë Parlamentit kanë mbetur disa prej figurave të njohura të PS-së, Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Xhemal Qefalia, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka dhe Plarent Ndreca.
Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste fitoi mandatin e katërt qeverisës me 83 deputetë. Partia Demokratike siguroi 50 mandate, Partia Socialdemokrate 3, ndërsa subjektet e reja si “Mundësia” e Agron Shehajt mori 2 mandate. “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë” siguruan nga një deputet secila.

