Këshilltarja demokrate e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, e ftuar në studion e News24, ka reaguar ndaj vendimit të papritur të qeverisë për ndërtimin e një ndërmarrjeje të prodhimit të armëve luftarake në zonën e Shkozës në Tiranë, një urdhër i firmosur nga zv/kryeministrja Belinda Balluku.

Zhulali theksoi se qytetarët vazhdojnë të jetojnë në një ambient paligjshmërie dhe pasigurie, duke e cilësuar këtë vendim si një shkelje të ligjit dhe Kushtetutës. Ajo sqaroi se Këshilli Bashkiak ka ekskluzivitetin për të autorizuar veprimet në lidhje me pronat dhe se vendimi i Këshillit të Ministrave është i paligjshëm.

“Ne kemi depozituar një kërkesë në Bashkinë e Tiranës për mbledhjen urgjente të Këshillit, pasi vetëm ky i fundit ka të drejtën të autorizojë veprimet ndaj këtyre pronave. Ky vendim kërkon të merret me tre të pestat në këshill, ndaj kërkojnë të anashkalohet ky votim,” u shpreh ajo.

Zhulali kritikoi Kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai ka marrë funksionet e kryebashkiakut dhe ka shkelur ligjin për qeverisjen vendore.

“Shteti funksionon me dokumente dhe nuk e dimë sot kush e drejton Bashkinë Tiranë. Vendimi është marrë pa pyetur asnjë qytetar, dhe jam e sigurt se nëse do të pyeteshin, ata do të ishin kundër këtij vendimi,” tha ajo.

Ajo shprehu besimin se ky vendim do të zhbëhet pas zgjedhjeve të 11 majit, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe të besojnë se mund të ketë ndryshime në të ardhmen duke votuar Partinë Demokratike.

“Ne vazhdojmë të jetojmë në një terren paligjshmërie dhe pasigurie. Ai që është bërë lajmi i përditshmërisë në Tiranë është edhe kjo gjë. Kemi një vendim nga kryeministri në kundërshtim me ligjin për pushtetin vendor dhe Kushtetutën. Kemi depozituar një kërkesë në bashkinë e Tiranës për mbledhjen urgjente të Këshillit sepse vetëm ky i fundit ka të drejtën të autorizojë veprimet ndaj këtyre pronave. Ky vendim i Këshillit të Ministrave është i paligjshëm. Ky vendim kërkon të merret me tre të pestat në këshill, ndaj kërkojnë të anashkalohet ky votim.

Kryeministri Rama ka marrë edhe funksionet e kryebashkiakut duke shkelur kushtetutën dhe ligjin për qeverisjen vendore. Këtë paligjshmëri e shohim jo vetëm ne, por edhe organet e drejtësisë që duhet të kishin vepruar. Shteti funksionon me dokumente dhe nuk e dimë sot kush e drejton bashkinë Tiranë. Kryeministri ka marrë atributet e Këshillit Bashkiak. Vendimi është marrë pa pyetur asnjë qytetar. Nëse do të pyeteshin jam e sigurt se ata do të ishin kundër këtij vendimi. Unë dua të qetësoj banorët sepse dua t’i siguroj që ky vendim do të zhbëhet pas zgjedhjeve të 11 majit”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb