TIRANË
Debate të ashpra në parlament ku po diskutohet projektbuxheti i 2023. Kryeministri Edi Rama ka sulmuar pa pushim opozitën në fjalën e tij, duke i etiketuar me fyerje të shumta, si bedelë, të shitur, të pafe, pa atdhe, të mallkuar, etj. Nga ana tjetër opozita e ka akuzuar Ramën dhe maxhorancën për një aferë korruptive me Portin e Durrësit.
Pas fyerjeve, kreu i grupit të PD-së Enkelejd Alibeaj i ka kërkuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla t’i tërheqë vëmendjen Ramës.
“Ky që po ikën do ishte mirë të dëgjonte diçka. Bedelë, budallenj, jeni turp, të shitur, llazore, dele, këlyshë, i pafe, i paatdhe. Vetëm një njeri që ka hall të madh vjen në parlament dhe nxjerr këtë gjuhë. E kuptoj fare mirë që ai do donte t’i ktheheshim me të njëjtën gjuhë sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mbulonte atë që po bën. Çfarë i kërkova unë, bëj transparencë, nxirr letrat. Do doja që znj. kryetare Kuvendit t’i tërhiqni vëmendjen. Së paku t’i tërhiqni vëmendjen parafolësit sepse janë një fjalor që në kodin e miratuar prej jush janë gjuhë jo parlamentare dhe meriton sanksionim. Mua më vjen të qesh, por ato fjalë shkojnë në kurriz të shqiptarëve.
Sa i përket buxhetit, do dëgjoni vërtetë fjalët që iu shërbejnë shqiptarëve”, tha Alibeaj.
Pas kësaj, Rama është indinjuar dhe tha se akuzat e opozitës janë më të rënda se opinioni i tij.
“Dëgjo këtu zotrote, nuk ka asgjë më të rëndë, asgjë më të shpifur, më jo etike se sa ti ngresh dhe i ulësh njerëzit kriminelë, hajdutë, pazarxhinj, të korruptuar, vjedhës. Këto janë shumë-shumë më të rënda se sa e vërteta që ju jeni këlyshë të rrahur që të vegjël që kur keni hyrë në derën e SHQUP-it. Që ju bëni si llazore edhe ky është një fakt, sepse vetëm llazoret e mbetura rrugëve, pasi kanë pirë gjithë natën dhe nuk gjejnë dot shtëpinë sepse janë të mbufatura nga trutë, mund të çohen në pikë të sabahut e të ngrenë lagjen në këmbë që këtu po ndodh një krim i madh. Ju jeni të pafe, pa atdhe, ju jeni pa din e iman, për këto keni lënë prova. Ju nuk dini të ndani as opinionet e ndryshme, as pozicionet e ndryshme, as qëndrimet e ndryshme, duke ruajtur njerëzillëkun. Jeni të gatshëm të nxirrni nga goja të gjitha të zezat, t’i bëni të gjithë ata që keni përballë hajdutë e kriminelë dhe të çmendni një popull që në pikë të mëngjesit. Pazari i syve që nuk të shohin sepse i ke të mbyllura komplet, dhe i veshëve që nuk dëgjojnë. Ti je një gojë që vazhdon jeton duke atë që ke bërë qysh se ke hyrë në këtë parlament, bishtin e non-gratës, pavarësisht se nuk e ke në krye, ti non-gratën e ke në kokë dhe koka jote nuk ka asnjë shans të shpëtojë nga non-gata. Ky është një opinion i mbështetur në fakte. Ti s’ke çfarë kërkon fare që unë të kërkoj ndjesë, je një kryebedel. i një tufe bedelësh që nuk kanë din, iman, nuk kanë fe, nuk kanë atdhe”, tha Rama
