Ish-deputeti i PD, Myslim Murrizi, ka kritikuar ashpër drejtimin e partisë në emisionin “Kjo Javë” në News24, duke u ndalur te përjashtimet e fundit dhe debati për termin “vetëpërjashtim”.

Murrizi e cilësoi këtë praktikë si të papranueshme dhe të ngjashme me modele të së shkuarës komuniste. “Ky stil përjashtimesh më kujton variantin e Koçi Xoxes dhe grupeve armiqësore, gjë që nuk më pëlqen fare,” u shpreh ai.

Sipas tij, statuti i PD-së nuk parashikon përjashtime, por vetëm statusin e anëtarësisë. “Në statut nuk ekziston përjashtimi. Je anëtar ose ke pushuar së qeni anëtar. Nuk ka vend për përjashtime formale,” theksoi Murrizi, duke shtuar se edhe termi “vetëpërjashtim”, i përdorur së fundmi për rastin e Ervin Salianjit, nuk figuron në dokumentet zyrtare të partisë.

Ai përmendi gjithashtu raste konkrete përjashtimesh në degë të ndryshme, si në Elbasan dhe Durrës, duke vënë në dyshim mënyrën se si po administrohen strukturat e partisë.

Në vijim, Murrizi u ndal edhe te zhvillimet e pritshme në Kuvendin Kombëtar, duke shprehur skepticizëm për ndryshime reale. “Nëse do u ofrojmë shqiptarëve të njëjtën gjë, rezultati do jetë i njëjtë,” tha ai.

Sa i përket garës për drejtimin e partisë, ai deklaroi se nuk do të kandidojë nëse në garë do të jetë Sali Berisha. “Nuk jemi në kushte të barabarta. Nuk ka shans që dikush t’ia marrë partinë Berishës sa kohë ai kandidon,” u shpreh Murrizi, duke theksuar se ndikimi i Berishës në parti mbetet dominues.

Në fund, ai shtoi se roli në opozitë është një mision i vështirë dhe se nuk është i motivuar nga interesa personale apo përfitime politike.

“Ajo që kam parë me rezerva është ky stili i përjashtimeve si varianti i Koci Xoxes dhe grupeve armiqësore që nuk më pëlqen fare. Në statutin e PD është hequr neni i përjashtimit, nuk ka përjashtim. Nuk ka të bëhen përjashtime, je anëtar ose ke pushuar së qeni anëtar. Janë përjashtuar dy zonjë në Elbasan, dy në Durrës, unë nuk i dija më parë si emra. Vetëpërjashtim është varianti i fundit, nga Facebook, nuk ka fare. Është lakuar, por nuk është në statut. Lexojeni statutin e PD, nuk e di pse i thonë ashtu Salianji dhe kush ja ka ofruar Berishës atë variant në statut. Nuk ka vetëpërjashtim”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb