Nga URAN BUTKA
Shpallja e vetëqeverimit të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916 është një nga ngjarjet madhore në historinë e Shqipërisë. Përgjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe më pas, qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat kriminale të sjella nga Kreta dhe “batalionet e shenjta”, kryen gjenocid ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1914 në Kolonjë, Korçë etj. Vetëm në masakrën e Panaritit u vranë dhe u therën 450 njerëz të pafajshëm. Përpos pushtimit ushtarak, në Korçë u vendos edhe regjimi civil grek, në krye të të cilit qëndronte qeveritari Argjiropulos. Fuqitë e Mëdha, në notën e 31 janarit 1914 drejtuar qeverisë greke, kërkonin largimin e ushtrisë greke nga Korça e Gjirokastra, si kompensim i dhënies së Greqisë të ishujve të detit Egje. Ushtria greke u largua formalisht më 1 mars 1914. Më 2 mars hynë në Korçë forcat e gjindarmërisë shqiptare me oficerët holandezë në krye. Në Korçë u vendos një administratë shqiptare nën vartësinë e KNK dhe një korpus vullnetarësh shqiptarë nën komandën e Themistokli Germenjit.
Pikërisht në këtë kohë nisi dredhia e politikës greke për ta marrë kalanë nga brenda. Më 2 mars 1914 u shpall në Gjirokastër e ashtuquajtura “Autonomi e Vorio-Epirit” nga Zografos, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, i cili krijoi edhe një qeveri të përkohshme kukull, ku merrnin pjesë edhe ish-funksionarë të lartë dhe peshkopë grekë. Për të mbështetur Zografon zbarkuan në Sarandë bandat e ardhura nga Gjiriti si dhe kontingjentet vendëse të rekrutuara tek Ierollohitët. Andartët dhe banditë të sjellë nga Greqia, që zëvendësuan ushtrinë e rregullt greke dhe organizuan një kryengritje brenda në Korçë, për t’i treguar botës se atje ishte Greqi dhe se popullsia e Korçës donte bashkimin me Greqinë. Kështu u organizua puçi i 2 prillit 1914. Peshkopi grek Germanos u ra kambanave të kushtrimit, si edhe njoftoi ushtrinë greke që të ndërhynte për të “shpëtuar” vëllezërit në Korçë, pra një kombinim i puçit nga brenda me ndërhyrjen ushtarake nga jashtë. Forcat e xhandarmërisë shqiptare të komanduara nga oficeri holandez, G.Sneller; korpusi i vullnetarëve të Korçës i komanduar prej Themistokli Gërmenjit dhe forcat vullnetare të Kajo Babjenit nga Gora si edhe të batalionit të Kolonjës të komanduar nga Gani Butka, bashkë me kapitenin amerikan Spenser, i thyen kryengritësit pas katër ditësh luftimesh. Ndërkohë, ushtria e rregullt greke kishte kaluar kufirin nga ana e Leskovikut dhe ishte nisur për në Korçë. Përpjekja e parë e përgjakshme u bë në Qafën e Badrit. Atje luftoi trimërisht Qani Ypi me një çetë kolonjarësh. U vranë të gjithë, bashkë me komandant Qani Ypin. Beteja e dytë u bë në Nikolicë, ku bashkë me forcat e Sali Butkës, morën pjesë edhe luftëtarët e Taborit të Strugës me Demir Aliun në krye, luftëtarët e Jashar Starovës, Shaban Blloshmit dhe Hasan Bitinckës. Ushtria greke, e mbështetur edhe nga andartët, mësynë këtë herë me 2000 ushtarë, nën komandën e kapiten Vardhës për të pushtuar Korçën. Grekët u thyen dhe u hodhën matanë kufirit. Në këtë betejë, u vranë mëse 200 ushtarë grekë, si edhe ranë mjaft luftëtarë shqiptarë, mes tyre edhe ladorishtarët Bajram Coma dhe Demisha Hoxha nga Tabor i Strugës, që i kanë ende varret në Nikolicë, si edhe u zu rob Hasan Bitincka. Në luftë e sipër, Sali Butka u plagos në syrin e majtë. (Gazeta Koha e M.Gramenos). Largimi i Princ Vidit nga Shqipëria më 3 shtator 1914 dhe fillimi i Luftës së Parë Botërore e kthyen Shqipërinë në shesh lufte. Nga kjo situatë përfitoi qeveria greke për të depërtuar ushtrinë e saj në Shqipëri dhe në fund të vitit 1914 Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara prej saj. Fuqitë e Antantës, për të tërhequr Greqinë në anën e tyre, i premtuan Venizellosit sovranitetin mbi Shqipërinë e Jugut. Greqisë iu shtuan orekset shoviniste dhe kërkoi jo më autonominë e Vorio-Epirit, por aneksimin e Shqipërisë Jugore. Këto orekse dhe kërkesa u shfaqën në Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915. Aleatët hapën Frontin Ballkanik nën komandën e gjeneral Sarrej me qendër në Selanik. Në tetor 1916, regjimenti i parë i kalorësisë së lehtë të Afrikës, i komanduar nga nënkoloneli de Burnazel, pushtoi ushtarakisht kazanë e Korçës. Me ardhjen e forcave franceze, këta i larguan grekët kostandinistë, si kundërshtarë të Antantës dhe vendin e tyre e zunë venizelistët, që shpejtuan të vinin në Korçë nga Selaniku, ku e kishte ngritur qeverinë Venizeloja, nën mbrojtjen e fuqive ushtarake të Antantës. Forcat patriotike të qarkut të Korçës reaguan dhe e rrethuan qytetin: çetat e Sali Butkës, që bashkëpunonin me austriakët prej Kamenicë gjer në teqenë e Melçanit dhe fuqitë e Themistokli Gërmenjit, me mbështetjen bullgaro-maqedonase, nga Podgoria deri në Melçan. Të dy komandantët bënë marrëveshje për ta shtrënguar ushtarakisht Korçën. Teqeja e Melçanit do të ishte qendër e përbashkët. Nga forcat kombëtare shqiptare u përdor strategjia e marrëveshjes me francezët nëpërmjet Themistokliut, por edhe e shtrëngimit ushtarak, nëpërmjet forcave të Sali Butkës. Sali Butka i dërgoi autoritetit ushtarak në Korçë, kolonelit Burnazel këto kërkesa:
1) Të ngrihet flamuri shqiptar në Korçë. 2) Të çelen shkollat kombëtare shqip në Korçë dhe të mbyllen shkollat greke. 3) Ushtria franceze të dalë nga qyteti i Korçës dhe të qëndrojë në Debojë, te kazermat.
Më 23 nëntor 1916, koloneli Dekuan largoi nga Korça qeveritarin grek Argjiropolos me gjithë shpurën e tij dhe shpërndau bandat e së andartëve. Dekuan e çmoi ndjenjën kombëtare shqiptare në Korçë, që sipas tij “okupacioni grek ka mundur të mos e lërë të marrë frymë, por nuk ka mundur ta mbysë”.
Më 24 nëntor, Themistokliu u paraqit tek autoritetet franceze dhe u takua me kolonelin Dekuan. Janë të famshme falët e Themistokliut: “Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vij pra tek ju si një njeri plotësisht lojal, kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmoj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë”. Edhe nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për qarkun e Korçës ishte ai grek. Koloneli Dekuan e i vlerësonte kështu forcat patriotike shqiptare: “Në perëndim të Korçës, bandat austro-shqiptare të Sali Butkës. Tërësia e bandave të Sali Butkës kishte forcën e disa batalioneve franceze. Në veri të Korçës, bandat bullgaro-shqiptare të Themistokliut kishin forcën numerike të një batalioni francez. Koloneli Dekuan dërgoi tek Sali Butka një delegacion ushtarak me në krye major Masjet, bashkë me një dërgatë të qytetarisë së Korçës. Kërkesat e Sali Butkës, datë 3 dhjetor 1916:
1. Vetëqeverimi i kazasë së Korçës do të përmbledhë provizorisht Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën, gjersa të çlirohen krahinat e tjera.
2. Flamuri zyrtar do të jetë flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare.
3. Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.
4. Do të formohet një komision prej pesë patriotësh i zgjedhur nga luftëtarë të lëvizjes kombëtare. Komisioni do të përmbushë detyrat e një qeverie me të drejtë të bëjë ligje, të emërojë e të pushojë nëpunës, të ndryshojë e të rregullojë çdo gjë që sheh të dobishme e të arsyeshme.
5. Administrata do të përbëhet nga elementë patriotë të sprovuar.
6. Gjykatoret do të veprojnë në gjuhën shqipe dhe me personel të aftë për plotësimin e detyrës.
7. Arsimi do të jetë krejt shqiptar, me baza të shëndosha kombëtare.
8. Të mbyllen të gjitha shkollat propagandistike greke.
9. Postat dhe telegrafat do të varen nga administrate shqiptare.
10. Të formohet një polici për të mbajtur qetësinë e qytetit.
11. Të formohet një gjindarmëri shqiptare me komandantë shqiptarë për të mbrojtur vendin.
12. Komanda franceze detyrohet të mbrojë vetëqeverimin e kazasë së Korçës nga çdo kërcënim
13. Qeveria franceze merr detyrimin moral të përkrahë të drejtat e Shqipërisë dhe veçanërisht të Kazasë së Korçës në konferencën që do të mblidhet, kur të mbarojë lufta.
Koloneli Dekon i pranon në librin e tij “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë” propozimet e Sali Butkës dhe kthesën rrëkëllyese që bënë propozimet e tij në drejtimin e shpalljes së Vetëqeverimit shqiptar të Korçës. “Ky evolucion do të kishte mundur të bëhej shkallë-shkallë, sikur një përçapje personale e Sali Butkës, i cili nga teqeja e Melçanit vëzhgonte dhe ndiente edhe vetë aspiratat e bashkatdhetarëve të vet, të mos kishte ardhur e shkaktuar rrëkëllyerjen e përshpejtuar të ngjarjeve. Në mbrëmjen e 3 dhjetorit, mora nga ai një letër, në të cilën ai më shpallte se ishte krejt i disponuar të linte armët, në qoftë se komanda proklamonte pavarësinë e Kazasë së Korçës, nën mbrojtjen ushtarake të Francës. Kuptohet vetiu se unë nuk isha kompetent për të marrë vendimin, që dëshironte Sali Butka, por ishte detyra ime të studioja në mënyrë sa më të plotë çështjen e t’i jepja Gjeneralit Kryekomandues të gjithë elementet e vendimit që do të mirrte në këtë mes” (Dekuan, gjashtë muaj të historisë shqiptare). Koloneli Dekuan i shqyrtoi kërkesat e Sali Butkës nga pikëpamja ushtarake. Ai ia drejtoi çështjen, bashkë me arsyetimin e tij, kryekomandantit Sarrej në Selanik dhe mori prej tij përgjigje pozitive. Menjëherë thirri Themistoklinë dhe i kumtoi dy telegramet nga Selaniku. Koloneli jep një vlerësim të lartë dhe prekës për Themoistokliun: “Kënaqësia e tij qe nga më të thellat. Edhe me të vërtetë, ai shihte të realizuar ëndrrën e tij, pavarësinë e vendit të tij, e ai do të ishte farkëtari kryesor i kësaj ngjarjeje historike”. Komandanti ushtarak Dekuan i ktheu përgjigje Sali Butkë se i pranonte konditat e tij. Sali Butka u gëzua nga plotësimi i kërkesave të propozuara: “Zoti major – i shkruan majorit Masjet. – Qysh sot jam shpirtërisht i bashkuar me ju dhe pres rastin e volitshëm të vihem plotësisht në radhët tuaja”. Megjithatë, Sali Butka nuk shkoi në Korçë, qëndroi ende në krye të luftëtarëve, për t’iu gjendur Korçës dhe Themistokliut, në çdo rrethanë. Koloneli Dekuan e vlerëson kështu: “Sali Butka, i vënë në dijeni të ngjarjeve, më ka njoftuar se ai po merrte anën tonë”. Koloneli Dekuan së bashku me shtatmadhorinë e tij dhe Themistoliun punuan gjithë natën dhe hartuan dokumentin e shpalljes të vetëqeverimit të kazasë së Korçës, që sipas Dekuan-it, do të përbënte në një farë mënyre “Statusin themeltar të Shtetit autonom të Korçës”. Ky ishte një akt historik tejet i rëndësishëm në historinë e Korçës dhe të Shqipërisë. Po ashtu, edhe gjeneral Sarrej i telegrafonte Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës në mars 1917: “Korça deshi të ishte e pavarur dhe e tillë u bë. Qysh atëherë, në këtë krahinë mbretëron qetësia. Mirëpo, në mesin e vitit 1917 ndryshuan disi ekuilibrat ndërkombëtare, si edhe zhvillimet e Luftës së Parë. Franca gjithnjë e më shumë po anonte nga Serbia e Greqia, gjë që e tregua edhe traktatet që u nënshkruan prej saj në dëm të Shqipërisë. Kthimi në pushtet i Venizellosit, që futi Greqinë në anën e Antantës, qershor 1917, për të cilën ishin përpjekur me kohë qarqet politike të Francës e më gjerë, e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Korçë. Kolonel Dekuan-in e larguan nga Korça, si përgjegjës për nënshkrimin e protokollit të 10 dhjetorit. U arrestua nga shërbimi sekret francez, themeluesi dhe udhëheqësi i krahinës autonome shqiptare të Korçës, Th. Gërnenji dhe u dërgua në Selanik, ku u nxor përpara një gjyqi ushtarak dhe u dënua me vdekje, me akuza të sajuara e të pavërtetuara si “agjent” i Fuqive Qendrore më 9 nëntor 1917. Pas pushkatimit të Th. Gërnmenjit, u abrogua më 16 shkurt 1918 edhe protokolli i 10 dhjetorit, që ishte një goditje për forcat atdhetare shqiptare dhe çështjen tonë kombëtare, ndonëse Korça mbeti njëlloj shqiptare. Qeveria greke kërkoi në Konferencën e Paqes në Paris aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës. Kulmi i këtyre kërkesave shoviniste arriti me nënshkrimin e traktatit Tittoni–Venizelos më 29 korrik 1919. Qeveria greke po përgatitej të pushtonte ushtarakisht Korçën, sapo ta linin atë francezët. Kryeministri i Francës, Klemanso u tregua i gatshëm t’ua bënte këtë blatim dhe kryekomandanti i fuqive aleate, gjenerali Fransua d’Esperay u tregua i gatshëm t’ua lëshonte Korçën forcave greke. Popullsia se Korçës dhe e rretheve të saj u trondit nga ky rrezik. Justin Godart konstatonte: “25 gusht 1919. Qarkullon lajmi se grekët do të pushtojnë Korçën. 30 gusht 1919. Në tërë vendin mbretëron llahtari. Afro 180-200 familje kanë braktisur Korçën, për të mos u gjendur nën thundrën e grekëve. Të gjorët njerëz, që duan vetëm të rrojnë të lirë e në paqe në shtëpitë e tyre”. 1
Megjithatë, forcat patriotike të Korçës u mobilizuan për mbrojtje. Në Korçë u formua një komision patriotësh prej 14 qytetarësh, i cili iu drejtua Sali Butkës me një thirrje, nëpërmjet Baba Ramadanit, kryetar i Komisionit për shpëtimin e Korçës, që e emëronte atë si komandant të përgjithshëm të operacioneve luftarake.2 Plaku i Butkës u nis drejt Korçës nga Skrapari me 800 luftëtarë të Skraparit, Kolonjës, Dangëllisë, Oparit, forca të cilat u shtuan me luftëtarë nga Korça, duke arritur në 1500 vetë, ndër ta edhe Panariti, Qamil Panariti, Qazim Panariti, Emrullah Boshani etj. Në Gjergjevicë u vendos shtabi i luftëtarëve shqiptarë, të gatshëm për të ndaluar pushtimin e Korçës nga ushtria greke. Komandanti francez i Korçës i raportoi kryekomandantit në Selanik më 7 shtator 1919 mbi përgatitjet për t’ia dorëzuar Korçën ushtrisë greke, si edhe i informon se, “Sali Butka ka vendosur të ndërhyjë sapo grekët të hyjnë në zonën e asnjanësisë… Influenca e Sali Butkës që është zot i pakundërshtueshëm i tërë krahinës deri në Shkumbin, shtrihet bile shumë më larg dhe është në gjendje të grumbullojë rreth 30.000 njerëz, duke iu drejtuar popullsisë së jugut deri në Vlorë. Me çetat e tij janë bashkuar dhe vullnetarë të ardhur nga Amerika”. Nga Gjergjevica, Sali Butka i dërgonte më 12 shtator 1919 komandantit të forcave franceze ultimatumin:
ULTIMATUM
Në emër të popullit shqiptar,
Sali Butka, komandant i trupave vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore.
Zotit kryekomandant të forcave Franceze në kufijtë shqiptarë, Korçë.
“Komandant,
Në padijeni të popullit francez, në padijeninë e komisionit të lartë të Konferencës së Paqes dhe kundra vullnetit tonë, diplomacia juaj, e gënjyer nga fjalët lajkatare të disa diplomatëve grekë, shqiptoi dënimin me vdekje të popullit shqiptar, duke i dorëzuar Greqisë qytetin e Korçës dhe rrethet e saj dhe ky veprim arbitrar e kriminal është pranuar me gjakftohtësi nga Franca, mbrojtëse e kombeve të shtypur, mbrojtësja e të dobëtëve! Kjo Francë, për të cilën shqiptarët e Korçës dhe të rretheve të saj kanë luftuar, kanë derdhur gjakun e tyre dhe kanë fituar, u thotë sot shqiptarëve: Ne do të ndihmojmë grekët që ata të vijnë qetësisht tek ju, në vatrat tuaja në Korçë, ju mos kundërshtoni, t’i lini t’ju mbysin, ne do të bëjmë sehir! Në shpalljen e këtij lajmi të trishtueshëm, një numër i madh nacionalistësh shqiptarë kanë ardhur dhe kanë hyrë në radhët tona, nën flamurin tonë.
Shpërngulja më e madhe e popullatës tonë fatkeqe ka filluar. Familje të tëra shqiptare, pa mjete dhe të uritura, u detyruan të largohen me shpejtësi nëpër male, që t’u shmangen barbarizmave të hordhive greke, të cilat ju po i prisni. Të shtyrë deri në ekstrem dhe duke mos mundur të durojmë më të tilla poshtërime, ne e shohim veten të detyruar t’ju paralajmërojmë të na dorëzoni qytetin e Korçës dhe rrethet e saj brenda 48 orëve, që ndjekin nga dorëzimi i këtij ultimatumi.
Duke parë se deri më sot, drejtuesit francezë të Korçës janë sjellë në mënyrë atërore karshi nesh, ne u detyrohemi atyre mirënjohje, për këtë arsye nuk do të shtiem asnjë pushkë kundra tyre. Gjithashtu, nuk dëshirojmë as edhe një gjakderdhje. Megjithëkëtë, në qoftë se qyteti i Korçës dhe qarku i saj nuk do të na dorëzohen neve miqësisht dhe në rast se Shtatmadhoria Franceze ju urdhëron të na sulmoni, jo vetëm do të mbrohemi, por edhe do të sakrifikohemi deri në pikën e fundit të gjakut shqiptar për çlirimin e tokës së shenjtë të atdheut tonë të dashur, të shitur poshtërsisht nga diplomacia franceze armiqve tanë grekër.
Kryekomandanti i Trupave Vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore, Sali Butka.
Gjergjevicë, më 12 shtator 1919″.
Komandanti francez i Korçës njoftoi kryekomandantin në Selanik, kryekomandanti njoftoi Parisin, Parisi sërish Selanikun dhe Selaniku komandën franceze në Korçë, e cila lajmëroi Sali Butkën në Gjergjevicë, se komanda franceze në Korçë kishte marrë urdhër të mos ua dorëzonte Korçën ushtrive greke. Korça do t’u dorëzohej forcave shqiptare.
(Footnotes)
1 J Godart, L
’Albanie en 1921, Paris.
2 P.Katro, veper e cituar

(GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: