Vetëvendosje ka fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare në Kosovë, me një diferencë të konsiderueshme me partitë e tjera, por ende pa shumicën për të krijuar qeverinë e vetme, teksa sytë janë nga diaspora dhe votimet me postë.
Gazetari Osman Stafa raportoi ‘live’ nga Prishtina për situatën paszgjedhore në Kosovë dhe ajo çfarë ka ndodhur pas fitores së VV.
“Menjëherë pasi u pa fitorja e VV, qytetarët kërkonin që Kurti të dilte në shesh. Osmani dhe Kurti dolën në zyrën e VV në Prishtinë ku folën për një Kosovë më të fortë, për një drejtësi të pavarur dhe institucione të forta.
Enver Hoxhaj i PDK pranoi rezultatin duke theksuar se nuk do ketë koalicion me VV. Avdullah Hoti gjithashtu pranoi rezultatin dhe kërkoi certifikimin e zgjedhjeve. Haradinaj tha se nuk ka vijë të kuqe duke e lënë të hapur mundësinë për koalicion.
Për të krijuar shumicën qeverisëse duhet 50+1 %. Janë ende 100 mijë vota të qytetarëve të Kosovës që kanë votuar me postë. Nga zgjedhjet e mëparshme është parë që këto vota shkojnë për VV. Mbetet për t’u parë nëse këto vota do të shkojnë sërish për VV, dhe nëse zoti Kurti mund të formojë qeverinë i vetëm.
Albin Kurti e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Listën Serbe, e cila ruan 10 mandate. Për sa i përket procesit zgjedhor, në Mitrovicën e Veriut ka pasur tentativa nga disa persona për të votuar më shumë se një herë dhe me këtë çështje janë marrë organet kompetente të Kosovës”, raportoi Stafa.
Ndërkohë në Kosovë vijojnë temperaturat shumë të ulëta deri në -14 gradë celsius, duke vështirësuar daljen e qytetarëve gjatë paradites së djeshme. Votuesit janë shtuar gjatë pasdites.
