Anëtarë të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë janë mbledhur sot përpara bustit të vëllezërve Frashëri për të njoftuar një tubim paqësor, siç thanë ditën e nesërme kundër vizitës së Presidentit serb në Tiranë, Aleksandër Vuçiç dhe kreut të serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik.

“Ata të dy janë dy politikanë udhëheqës me të kaluar dhe të tashme kriminale, s’kanë shprehur asnjë pendesë për krimet e Serbisë, mohojnë masakrat e luftës. Ata nuk i njohin simbolet tona shtetërore. S’mund të sillemi këtu sikur jemi para një feste. S’mund t’ju hapet dera e shtëpisë hasmit. S’jemi ne që i kemi shpallur armiq, janë ata që mohojnë të drejtat tona. Prandaj edhe nesër do të mblidhemi këtu në orën 18:00 dhe ftojmë sa më shumë qytetarë të na bashkohen. Tubimi do do vazhdojë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas tek Korpusi e tek rruga përballë hotel Sheratonit ku edhe do mbahet takimi që do marrin pjesë këta persona. Vuçiç dhe Dodik janë persona non grata në Shqipëri”,- u shpreh njëri prej përfaqësuesve.
Ata thonë se për tubimin e tyre paqësor kanë marrë leje në polici.

Reagimi i tyre vjen pasi në datën 8 dhe 9 maj, Vuçiç e Dodik do të jenë në Tiranë për të zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama dhe komisioneren e BE, Federica Mogherini.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb