Shtetet e Bashkuara kanë vënë veton ndaj një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Gazën të paraqitur nga dhjetë anëtarët jo të përhershëm.

Rezoluta – e cila mori 14 vota pro dhe vetëm një votë kundër (amerikane) – i bën thirrje Izraelit që “të heqë menjëherë dhe pa kushte të gjitha kufizimet për hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza” dhe të sigurojë shpërndarjen e saj të sigurt dhe të papenguar.

Ajo gjithashtu bën thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm, pa kushte dhe të përhershëm” në Gaza dhe “lirimin e menjëhershëm, dinjitoz dhe pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi”.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i injoruan Shtetet e Bashkuara kur thanë se ishte e papranueshme, duke filluar me faktin se nuk arrin të dënojë Hamasin dhe për më tepër tërheq një paralele të rreme midis Izraelit dhe Hamasit”, tha një përfaqësues i SHBA-së në selinë e OKB-së.

Ndërsa Gjermania nuk e quan gjenocid atë që po ndodh në Gaza. “Ne nuk e ndajmë qëndrimin e qeverisë izraelite se kjo do të arrijë qëllimin e eliminimit të Hamasit në një mënyrë të qëndrueshme. Prandaj, ne ndajmë kritikat ndaj metodës, por nuk e ndajmë përkufizimin e gjenocidit”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz në një konferencë shtypi me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez në Madrid.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb