Vjolanda Peca | Vetting

Ndërhyrja e paligjshme te godina e “News24” bllokoi jo vetëm televizionin, por gazetat më të mëdha në vend “Panorama”, “Panorama Sport”, Gazeta Shqiptare dhe mediat më të ndjekura online BalkanWeb dhe Panorama online. Sipas “KAYO” sh.a, arsyeja zyrtare ishte se televizioni nuk kishte paguar qiranë.

Por mënyra se si ndodhi kjo ndërhyrje, nuk ishte një procedurë e rregullt ligjore. Pas largimit të gazetarëve, dy ditë më pas pasditen e 11 gushtit 2025, në muzg kompania shtetërore “KAYO” sh.a hyri në ambientet e gazetarëve dhe filloi të prekë pajisjet e redaksive të “News4”, kompjutera, dosje, tavolina, karrige dhe sendet personale. Pa njoftuar askënd, një pjesë e këtyre sendeve u dërguan në rezervat e shtetit.

Ky veprim u krye natën në mënyrë të fshehtë, pa transparencë dhe pa respektuar të drejtat e gazetarëve nga kamionat e ushtrisë.

“Nuk mundet që një polici shteti apo një institucion tjetër, të vejë dhe të dhunojë një ambient qoftë edhe në posetim të një medie, duhet të drejtohen edhe ata institucioneve dhe organeve ligjzbatuese siç është Gjykata”- tha për emisionin investigative “Vetting” avokati Arben Llangozi.

Praktikisht dhe ligjërisht u shkelën disa nga të drejtat më themelore, të mbrojtura jo vetëm nga ligjet shqiptare, por edhe nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë sanksionohet qartë se liria e shtypit është e garantuar. Por kur gazetarët nxirren me forcë nga vendi i punës, kjo liri shkelet hapur. Po ashtu, Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut e shprehin qartë se askush nuk mund të privohet nga prona e tij në mënyrë të paligjshme.

Sekuestrimi i përkohshëm i kompjuterave dhe pajisjeve personale, pa një vendim të qartë gjyqësor dhe pa paralajmërim, është shkelje e të drejtës së pronës.

“Nuk është çështje godine, unë flas si gazetar, në tagrin e gazetarit, të punës time të përditshme për fjalën e lirë, për të qenë krahu dhe zëri i qytetarëve i halleve dhe problemeve të tyre për t’i transmetuar në media. Në rastin konkret mendoj që organet ligjzbatuese duhet të çojnë para përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës duke nisur nga Ardi Veliu”, tha gazetari Igli Çelmeta.

“Ai rrethim që iu bë godinave të televizionit pa një vendim gjykate, pa një urdhër, pa një ekip përmbaruesish që ne të kishim me kë të flisnim meriton një hetim të thelluar nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.”- tha drejtori i BalkanWeb, Leonard Quku.

Avokati Arben Llangozi thotë për “Vetting” se rasti është i paprecedentë dhe i rrallë.

“Një shtet kur nuk zbaton vendimin e Gjykatës nuk mund të themi që kemi të bëjmë më me një shtet sepse edhe në kohën e diktaturës çdolloj vendimi gjyqësor elzekutohesh, s’di me kë ta krahasoj sepse janë raste shumë të rralla” – u shpreh avokati Llangozi.

Një tjetër parim i rëndësishëm është e drejta për një proces të rregullt ligjor. Çdo veprim duhet të bëhet me vendim gjykate dhe të zbatohet vetëm nga përmbaruesit gjyqësorë. Në këtë rast, Policia e Shtetit dhe kompania shtetërore vepruan jashtë këtyre rregullave. Ky fakt e kthen të gjithë aksionin në një ndërhyrje arbitrare. Edhe ligji shqiptar për median audiovizive e thotë shprehimisht se autoritetet publike duhet të garantojnë kushte të lira pune për median, jo të hyjnë me forcë dhe ta bllokojnë atë.

“Të gjithë janë në një presion të madh ku pushteti ekzekutiv ka prevaluar mbi të gjitha pushtetet e tjera dhe arrin të marrë guximin të bëjë presion dhe te pushtetet e tjera, ku me kushtetutë secili duhej të ishte i pavarur. Në këto kishte kemi pushtetin më të fortë që dominon”- u shpreh gazetari Klevin Muka.

Por shkeljet nuk mbarojnë këtu. Dokumentet ndërkombëtare, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut apo Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të informuar publikun. Duke i përzënë gazetarët nga vendi i punës dhe duke u marrë pajisjet, këto të drejta u shkelën në mënyrë flagrante.

“Është cënuar shumë liria e medias pas këtij veprimi sepse kushdo që do të dojë të kritikojë qeverinë apo të bëjë artikuj, emisione kritike siç keni qenë dhe ju të Vetting që keni pasur me dhjetëra investigime kritike me qeverinë, do të mendohet dy herë para se ta bëjë sepse ja çfarë ndodh kur t’i kritikon qeverinë dhe bën gazetari të ndershme, me fakte dhe duke denoncuar afera korruptive apo lidhjet e krimit të organizuar me qeverinë.” – u shpreh gazetari Renaldo Salianji.

Kjo histori nuk është thjesht një konflikt për një qira të papaguar. Është një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të gazetarëve. U cenua liria e shtypit, e drejta e pronës dhe e drejta për një proces të rregullt ligjor.

“News4” është nën pronësinë e një kompanie private, por mijëra probleme të qytetarëve kanë marrë zë nga mbulimi gazetarëve të kronikës apo emisioneve televizive.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb