Deputeti i zgjedhur i PD, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit rreth televizionit News24, duke e cilësuar këtë rast si një tregues të kapjes së të gjitha pushteteve nga kryeministri.
Ai akuzon mazhorancën se po refuzon të zbatojë një vendim gjykate për kthimin e dokumenteve të gazetarëve dhe se synimi është goditja e emisionit “Vetting”, si një nga emisionet që flet për aferat e ministres Belinda Balluku.
Këlliçi u shpreh i bindur se gazetarët dhe mediat do të kenë forcën dhe kurajën për të vijuar denoncimet dhe për t’i përcjellë ato çdo ditë tek qytetarët.
“Rasti i News24 është rasti i kapjes së të gjitha pushteteve nga kryeministri, që tenton të mbyllë televizionin e tretë.
Ende nuk ka një reagim të fortë.
Çmenduria nuk ka fund. Refuzohet të zbatohet një vendim i gjykatës për të kthyer dokumentet e gazetarëve.
“Vetting” është i vetmi emision që flet për aferat e Ballukut dhe këto janë arsyet pse tentohet të depërtohet në televizionet e shqiptarëve.
Jam i bindur se do të keni forcën dhe kurajën për të kthyer çdo ditë te qytetarët denoncimet e shumta.”, tha ndër të tjera Belind Këlliçi.
(BalkanWeb)
