Emisioni investigativ Vetting, News24

Raste dhune, korrupsion dhe kequshqyerje, të moshuarit e azileve tregojnë problemet
Prej shumë vitesh i moshuari Rrapi Bregu endet rrugëve të kryeqytetit. Pavarësisht se ka punuar 40 vite, ai nuk përfiton pension, çdo ditë nuk e ka të sigurtë nëse do të mbetet gjallë. Për një kohë të gjatë, Rrapi ka fjetur poshtë urave të Lanës, në ndonjë stol ose trotuar në mes të të ftohtit të dimrit dhe vapës së verës. 73-vjeçarit pasi i prishën vilën dy katëshe që ndodhej pranë Fabrikës së Miellit, buzë lumit Lana e shpërblyen me një çmim të ulët prej 12 milionë lekësh të vjetra, lekë me të cilat do të paguante qiranë e banesës ku do të jetonte.

Por, përtej mungesës së shtëpisë dhe mungesës së fëmijëve në jetën e tij, ai tashmë do të duhet të përballet me humbjen e bashkëshortes. I moshuari ka jetuar një vit në Qendrën Sociale “Strehëza Tiranë”, por edhe këtu do ta shoqëronte “fati i keq”, e nxorën jashtë duke i treguar rrugën. Dhimbje pas dhimbje që për Rrapi Bregun është një tragjedi, që mund t’i ndodhë kujtdo, edhe ty që po na sheh.

“Kam 40 vite punë por nuk kam të regjistruar asnjë ditë mbi veten time, më kanë humbur të gjitha. Jam interesuar nuk ekziston asgjë, ndërmarrja u bë copa, janë bërë pallate.

Jam Rrapi Bregu, kam punuar shofer, më vdiq gruaja, fëmijë nuk kam. Erdha këtu në azil në këtë qendrën sociale që ka bërë këtu bashkia, as vitin nuk e mbusha atje, përse më ndoqën një zot e di, unë nuk di gjë.

Kam shkuar tek ato drejtoreshat që janë tek Torre Drini nuk më kanë dhënë asnjë përgjigje të saktë”, tregoi Rrapi Bregu.

Pasi e nxorën nga Qendra Sociale “Strehëza Tiranë” Rrapi u end sërish rrugëve të Tiranës deri sa gjeti një dhomë 4 m/2 me një çati të sajuar me llamarina dhe mushama pranë ish-Uzinës së Traktorëve. 73-vjeçarit do t’i bashkoheshin edhe dy shokë të tjerë që ishin nxjerrë jashtë nga qendra sociale.

“E gjetëm këtë kështu, hymë këtu brenda, erdhi ai që është si tip përgjegjësi këtu, nuk donte të na linte, janë të bashkisë këto, janë të shtetit. Por i thashë: “Mirë të tjerat që më humbën pensioni, të gjitha këto, por edhe për të fjetur nuk do të më lini të futem këtu në këtë kotecin”. “Jetojmë këtu tre veta”, tha 73-vjeçari.

Ata jetojnë pa asnjë kusht minimal në një hapësirë ku kanë improvizuar tre krevate të ndërtuar me sfungjerë, baleta druri dhe blloqe betoni që zëvendësojnë këmbët e krevatit. Për ushqimin e ndihmojnë institucionet fetare, por edhe njerëz që kanë zemër të mirë, ku i sigurojnë një vakt, larjen në dush një herë në javë dhe larjen e rrobave.

“Këtu vetëm që nuk kam kushte, për t’u larë shkoj tek motrat katolike një herë në javë. Lë të palarat dhe marr të larat. Asgjë më tepër”.

Tani vete atje tek shkolla e kuqe, dhe bukën atje e marr, urdhëro, na i jep ai i Shkollës së Kuqe, e di që jemi përjashta na thotë: “Merreni edhe këtë ta hani për darkë, bukë thatë”.

Po të kemi ndonjë makarona ose vezë, i kemi edhe këto, bombola nuk ka gas, nuk kemi lekë ta mbushim më, nuk gatuajmë dot”, rrëfeu i moshuari Rrapi Bregu.

https://youtu.be/_mQQ54aTnIw

Brenda strehës ku fle i moshuari dhe dy shokët e tij shikon baleta me dërrasa, sfungjer që ka improvizuar krevatin. Një skamje që të trishton, kalon kufijtë e çdo dhimbjeje njerëzore. Fatkeqësisht askush nuk ka vënë dorën në zemër dhe ta ndihmojë me një strehë që të kalojë vitet e pleqërisë.

“Kam një copë sfungjeri këtu, shtruar edhe këtë batanijen, edhe këto dy baletat shtruar dy dërrasat poshtë, ndonjë bllok dhe asgjë më shumë.

Bie shi këtu bie shiu ku është ajo goca, nga lartë prapë, bie shi, mblodha ca mbushma andej dhe i solla këtu, kur të mbarojnë këta marangozët do t’iu lutem kur të mos kenë punë shumë të më ndihmojnë t’i vendosin një çik lart se unë nuk jam i zoti, as unë as këta”, shpjegoi 73-vjeçari.

I moshuari përballet edhe me probleme shëndetësore, çdo muaj i duhen 150 mijë lekë ilaçe, para të cilat nuk i siguron dot. Për pak kohë do t’i nënshtrohet një operacioni për zemrën, i cili është vendimtar për jetën e tij.

“Unë jam i sëmurë nga zemra kam një valvul me defekt, valvulën e majtë, pres të më fusin në operacion, por se kur do të vijë dita që do të më fusin në operacion nuk e di. Me tension dhe të gjitha, kam qesen me ilaçe, marr 150 mijë lekë ilaçe në muaj. Ato ilaçe dy herë mi ka blerë prifti I kishës ortodokse, njëherë mi blenë ato katoliket, por nuk mund të kërkoj aty çdo muaj lekë për ilaçet se dhe ato janë me kushte të vështira. 150 mijë lekë nuk janë pak ilaçet. Nga qeveria kërkoj të më ndihmojnë të bëhem operacion dhe po të munden të më fusin diku në një garsoniere që të kem një banjë të lahem”. “Kjo ishte jeta ime, përfundoi në këtë kotecin këtu siç e shikoni juve”, tha Rrapi Bregu.

Qendrat Rezidenciale, prej strehës në greminë
Në Shqipëri, ekzistojnë aktualisht gjashtë qendra rezidenciale publike për të moshuar në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër dhe Poliçan. Këto institucione, të krijuara për të ofruar përkujdesje bazike, jetesë të sigurt dhe ndihmë shëndetësore, kanë vite që përballen me mungesë fondesh, mungesë stafesh të trajnuara dhe infrastrukturë të degraduar. Azilet private për të moshuarit janë me kosto të lartë pagese mbi 50 mijë lekë të reja, vetëm pak persona mund ta përballojnë shpenzime të tilla. Pamundësia financiare, jetesa vetëm me një pension minimal i detyron ti drejtohen si zgjidhje azileve publike.

“Këtu jemi të gjithë ne që jemi në pragun e (shenjë d.m.th vdekjes). Jemi të sëmurë fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht, dikush më shumë dikush më pak, janë njerëz problematikë”, tregoi i moshuari në Azilin e Kavajës.

Çdo ditë në këto azile banorët përballen me kushte që nuk përputhen me asnjë standard europian të përkujdesit social. Të ulur në stolat e oborreve, shumë prej tyre kalojnë orë të tëra në heshtje, pa aktivitete, pa shpresë. Me hapa të ngadaltë dhe zëra të lodhur, përpiqen të tregojnë shqetësimet e tyre. Nga pas, gjithmonë i ndjek frika se një fjalë e gabuar mund t’i kushtojë më pak përkujdesje nga stafi.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb