Emisioni investigativ Vetting, News24

Në 29 maj 2025, në krye të Drejtorisë së Tatimeve Rajonale Tiranë do të vendosej si drejtuese Erilinda Lala në pozicion të komanduar.

Dokumentet e siguruara nga “Vetting” dhe korrenspondeca me institucionet publike japin indicie se Drejtoresha Lala është përfshirë në një sërë shkeljesh të rënda si fshehje pasurie së bashku me bashkëshortin Taulant Godroli.

Dokumentet publike tregojnë se si lidhja midis Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë Lala dhe Godrolit, ka indicie të forta, ku sipas dokumenteve dhe denoncimeve publike, lidhja midis këtyre personave dhe kompanisë “Alko-Impex General Construction” me administrator Arbër Abazin ngre dyshime për mënyrën se si kjo kompani ka përfituar kontrata publike me vlerë në dhjetra miliona euro.

Denoncimi i parë publik është bërë në maj 2016 nga Partia Demokratike nëpërmjet ish deputetes Grida Duma, deklaratë e cila ekspozonte punën e Komisionit të Prokurimeve Publike përsa i përket ankesave të kompanive private.

“Kemi sot pyetje të rëndësishme që kërkojnë përgjigje. A është sot njëri prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut, funksionar i lartë i KPP-së? A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut me një funksionare të lartë Komisionit të Prokurimeve Publike?”, do të ngrinte pyetjet ish deputetja e PD-së Grida Duma.

Do të kalonte pothuajse një dekadë nga ky denoncim publik që dosja e kompanive “Alko-Impex General Construction” dhe ALKO IMPEX CONSTRUCTION (ish KLEDOR ALBANIA-09) së bashku me Arbër Abazin, të futej nën hetim nga SPAK, pasi dyshohet se ka përfituar dhjetëra miliona euro fonde publike me paracaktim nga ish-zv.kryeministrja dhe njëkohësisht ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo e fundit ndodhet nën mburojën e mazhorancës socialiste, e cila i mohoi SPAK-ut kërkesën për arrestimin e saj, duke kundërshtuar për herë të parë një kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Lala-Godroli, përplasja teatrale që ngriti perandorinë Alko Impex
Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting” ka dyshime të forta se Drejtoresha e Tatimeve Tiranë Erilinda Lala dhe bashkëshorti Taulant Godroli mund të kenë qenë në konflikt interesi si në procesin e ankimimit në Komisionin e Prokurimit Publik, ashtu edhe në gjykatë. Kjo pasi Lala ka qenë juriste pranë KPP-së ndërkohë që Godroli ishte jurist te kompania “Alko-Impex General Construction” kur palët përballeshin te KPP-ja ose në Gjykatën Administrative.

Vetëm në periudhën 2014-2018, kompania “Alko-Impex General Construction”, me administrator Arbër Abazin, do të bënte një fushatë të ethshme gjyqësore nëpër shkallët e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, si edhe asaj të Apelit.

Alko
Alko

Do të ishte kjo periudha e artë kur kompania do të ngjiste shkallët në prokurimin publik, duke siguruar kontrata të majme në shkelje të mundshme të ligjit të prokurimit publik, pavarësisht kundërshtimit nga Komisionet e Vlerësimit të Ofertave apo Agjencia e Prokurimit Publik.Edhe pse do të paditej disa herë në gjykatë nga kompani private të skualifikuara nga Komisioni i Prokurimit Publik, përsëri kompania do të triumfonte.

Sipas avokates Margarita Kola, këto raste duhen sqaruar kur palët përballen në Gjyaktë.
“Në qoftë se përfaqësuesi i asaj kompanisë, ka qenë burri i kësaj zonjës, e cila ishte në anën tjetër, palët kanë patur për detyrë t’ua vënë në dijeni Gjykatës. Pastaj ishte gjykata që shihte nëse kishte konflikt interesi apo jo”, u shpreh avokatja Kola.

Një nga gjyqet më të debatuara do të ishte ai për pastrimin e zonës 3 në kryeqytet, i shpallur nga Bashkia Tiranë në tetor 2014, me fond limit 198 milionë lekë, ose rreth 2 milionë euro. Në këtë tender morën pjesë disa kompani, ndër to edhe Alko-Impex General Construction.

Gjatë vlerësimit të ofertave, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i Bashkisë Tiranë do të skualifikonte Alko Impex nga gara. Arsyeja ishte se kompania nuk plotësonte disa kritere të tenderit. Konkretisht, pretendohej se deklarata për drejtuesin teknik nuk ishte për projektin e Tiranës, por për pastrimin e qytetit të Elbasanit, se nuk ishte paraqitur licenca përkatëse nga Qendra Kombëtare e Licencimit, se nuk ishte provuar numri minimal i punonjësve të siguruar dhe se kontratat e punëve të ngjashme të paraqitura nga kompania nuk përmbushnin kriteret e kërkuara.

Pas skualifikimit, Alko Impex General Construction bëri ankesë fillimisht te Bashkia Tiranë, por bashkia e refuzoi. Më pas, kompania bëri ankesë te Komisioni i Prokurimit Publik. Në dallim nga Bashkia Tiranë në dhjetor 2014 mori vendimin me të cilin vendosi t’i japë të drejtë Alko-s. KPP-ja urdhëroi Bashkinë Tiranë të anulonte vendimin e skualifikimit dhe ta rikualifikonte kompaninë në tender. Pas këtij vendimi, Bashkia zbatoi vendimin e KPP-së dhe e rikualifikoi Alko, duke e renditur të parën sipas klasifikimit të ofertave.

Kjo situatë u kundërshtua nga një kompani tjetër pjesëmarrëse në tender, Ecologica Albania shpk, e cila pretendoi se rikualifikimi i Alko-s ishte i paligjshëm. Ecologica Albania argumentoi se Alko nuk kishte paraqitur licencën mjedisore të kërkuar në Shqipëri, se certifikatat ISO të paraqitura nuk ishin të vlefshme, se makineritë nuk plotësonin kërkesat teknike, se nuk ishte provuar pagesa e taksave vendore dhe se kontratat e mëparshme nuk provonin përvojën e kërkuar për shërbime të ngjashme.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, Komisioni i Prokurimit Publik, në një vendim tjetër, nr. 50/2015, vendosi të mos pranojë ankesën e Ecologica Albania.

Pas kësaj, kjo e fundit e çoi çështjen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Në gjykatë palët kryesore ishin paditësi Ecologica Albania shpk, pala e paditur Komisioni i Prokurimit Publik, i përfaqësuar nga Erilinda Lala, Avokatura e Shtetit dhe në proces mori pjesë edhe Alko Impex General Construction.

Gjykata Administrative do të analizonte procedurën e tenderit për pastrimin në kryeqytet dhe do të arrinte në përfundimin se problemi kryesor nuk ishte nëse Alko kishte apo jo dokumente të rregullta, por fakti që padia e Ecologica Albania ishte bërë jashtë afatit ligjor.

Për këtë arsye, gjykata nuk hyri në analizë të thellë të pretendimeve për dokumentet, por vendosi se padia ishte bërë me vonesë dhe nuk mund të shqyrtohej.

Sipas avokatit Redi Ramaj, situata me lidhjet familjare dhe procesin e prokurimit publik të kompanive është problematike.

“Problematika e hetimit të këtyre kompanive dhe mënyra se si kanë operuar dhe përfshirjen e vetë njerëzve të afërt të këtyre titullarëve, con në faktin që nuk duhet të kishim dhe nuk duhet të ishim në këtë situatë duke pasur drejtpërdrejt lidhje me kompani të cilat kanë marrë fonde publike”, u shpreh për “Vetting” avokati Ramaj.

Madje sipas avokates Kola, në këtë rast mund të ketë konflikt interesi nëse palët janë përballur në Gjykatë.

“Gjykata nuk e ka vënë re këtë gjë sepse nuk ka qenë në dijeni të rrethanave, që mund të jenë burrë e grua. Megjithatë, mendoj që këta e kanë patur për detyrë, ta vinin gjykatën në dijeni nëse kanë qenë në të njëjtën çështje”, deklaroi avokatja Kola.

Por ngjarjet do të merrnin një kthesë të re në vitin 2018, kur Agjencia e Prokurimit Publik nisi një procedurë administrative ndaj kompanisë Alko Impex General Construction pas një kërkese të bërë nga kompania “Shpresa” shpk. Kjo kompani pretendoi se, në një tender tjetër të zhvilluar nga Bashkia Tiranë për shërbimin e pastrimit të zonës “Tirana III”, Alko Impex kishte paraqitur dokumente që përmbanin të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi. Konkretisht, pretendimi lidhej me dokumentacionin e paraqitur për një inxhinier mjedisi të kompanisë, Bekim Mehmet Selmani, për të cilin ishte paraqitur një certifikatë nga Universiteti i Prishtinës që nuk përputhej me të dhënat e tij. Ky i fundit do të deklaronte publikisht se bashkëpunimi me këtë kompani kishte përfunduar në vitin 2012, duke shtuar se do të merrte masa për këto veprime ndaj kompanisë.

Pas hetimit administrativ, APP-ja arriti në përfundimin se kompania kishte paraqitur dokumente të rreme dhe me vendimin nr. 103 të datës 9 tetor 2018, vendosi përjashtimin e Alko-Impex General Construction nga pjesëmarrja në tenderat publikë për 3 vite. Sipas këtij vendimi, kompania kishte përfituar fonde publike duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe kishte arritur të shpallej fituese dhe të lidhte kontratë me institucionin.

Ky vendim kishte pasoja të rënda për kompaninë, pasi përjashtimi nga tenderat është një nga masat më të forta që mund të merret ndaj një kompanie që vepron në këtë sektor. Megjithatë, Alko Impex General Construction e kundërshtoi këtë vendim, duke iu drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë dhe duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të APP-së.

Në procesin gjyqësor të zhvilluar në vitin 2018, Gjykata analizoi procedurën e ndjekur nga Agjencia e Prokurimit Publik dhe mënyrën se si ishte arritur në përfundimin për përdorimin e dokumenteve të rreme. Gjykata do të evidentonte se hetimi administrativ i APP-së ishte bazuar kryesisht në një shkresë të Universitetit të Prishtinës të paraqitur nga kompania ankuese, pa u kryer një verifikim i drejtpërdrejtë dhe zyrtar nga vetë institucioni. Gjykata theksoi se për të provuar pavërtetësinë e një dokumenti zyrtar është i nevojshëm ose një verifikim zyrtar nga institucioni që e ka lëshuar dokumentin, ose një vendim gjyqësor penal apo civil që konstaton falsifikimin e tij.

Për këtë arsye, gjykata arriti në përfundimin se vendimi i Agjencisë nuk ishte i mbështetur në prova të mjaftueshme dhe vendosi shfuqizimin e vendimit nr. 103 të APP-së, duke pranuar padinë e Alko Impex General Construction.

Kjo do të thotë se, edhe pse administrata publike kishte vendosur përjashtimin e kompanisë nga tenderat për shkak të përdorimit të dokumenteve me të dhëna të rreme, Gjykata Administrative e rrëzoi këtë masë sepse procedura e verifikimit të dokumenteve nuk ishte kryer në mënyrë të plotë.

Në përfundim, saga juridike rreth kompanisë Alko Impex General Construction përfshin disa faza, skualifikimin dhe rikualifikimin në tendera nga Komisioni i Prokurimit Publik, konfliktet gjyqësore me operatorë të tjerë ekonomikë, përjashtimin administrativ nga Agjencia e Prokurimit Publik në vitin 2018 për përdorim dokumentesh me të dhëna të rreme dhe më pas shfuqizimin e këtij vendimi nga gjykata administrative për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme për falsifikimin e dokumenteve.
Sipas informacioneve publike, Prokuroria e Elbasanit do të niste një hetim për rastin e Alko-Impex General Construction. “Vetting” kontaktoi Prokurorinë e Elbasanit për hetimet e këtij rasti, por deri në publikimin e këtij materiali nuk pati asnjë koment nga Prokuroria.

Në fakt, më herët ALKO-IMPEX General Construction është skualifikuar nga Bashkia Përrenjas për paraqitje dokumentesh të falsifikuara sipas korrespondencës me Ministrinë e Rrugëve në Kosovë. Edhe pse është evidentuar ky fakt, Agjencia e Prokurimit Publik nuk ka marrë asnjë masë ndaj kësaj kompanie.

“Vetting” kontaktoi Agjencinë e Prokurimit Publik për tenderin e Bashkisë Përrenjas, për të mësuar se çfarë masash ishin marrë për këtë rast specifik, por deri në publikimin e këtij materiali APP-ja nuk bëri asnjë koment.

Toka për resortin u dha pa garë dhe në shkelje të ligjit me pronar të mundshëm LALA-GODROLI

Në Shqipëri, ligji i ndërtimit është i qartë, asnjë tullë apo vijë nuk mund të vendoset mbi një truall pa u vërtetuar se kush është pronari i tokës dhe pa marrë pëlqimin e tij. Madje, kur bëhet fjalë për pronën publike të një bashkie, ky pëlqim jepet vetëm përmes votës së Këshillit Bashkiak, i cili është i vetmi organ që ka fuqinë ligjore të vendosë nëse kjo tokë mund të jepet në shfrytëzim.

Fakti që Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka nxjerrë një leje ndërtimi për kompaninë private “2D Construction 2025” me pronare Marsida Dedej dhe ish aksionere drejtoreshën e Tatimeve Tiranë Erilinda Lala përpara se ky votim të ndodhte në Bashkinë Kavajë, është një skandal i rëndë. Sistemi elektronik i lejeve (e-Albania) është programuar që të jetë i pakalueshëm, pasi kërkon detyrimisht ngarkimin e certifikatës së pronësisë ose të kontratës së shfrytëzimit për të ecur përpara.

Kjo situatë krijon dyshime se procedura në sistem mund të jetë kapërcyer, pasi projekti ka avancuar pa dokumentin bazë të pronësisë, duke injoruar mungesën e dokumentit bazë që legjitimon kompaninë private. Ky nuk është thjesht një anashkalim i bashkisë, por një cenim i rëndë i autonomisë vendore nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Praktikisht, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, që drejtohet nga Adelajda Roka, ka kaluar në KKT një projekt që nuk kishte certifikatën e pronësisë.

Whatsapp Image 2026 03 19 At 20.23.55
Whatsapp Image 2026 03 19 At 20.23.55

Pas këtij projekti i cili është firmosur nga Këshilli Kombëtar i Territorit në kundërshtim me ligjin për kompaninë “2D Construction 2025”, ish Gea Construction, dyshohet se fshihen Drejtoresha e Tatimeve Erilinda Lala dhe bashkëshorti i saj Taulant Godroli.

Sipas avokati Ramaj, nuk mund të jepet leja e ndërtimit pa u përcaktuar pronari juridik i pronës që jepet për zhvillim.

“Çdo veprim i bërë pa miratimin e pronarit të ligjshëm nga institucione të tjera është në shkelje të ligjit. Ky veprim sjell pavlefshmëri të të gjitha veprimve të kryera më pasi nuk ka bazë ligjore”, u shpreh avokati Ramaj.

Leja e ndërtimit është dhënë nga KKT-ja përpara se të rregullohej marrëdhënia juridike mbi tokën. Të gjitha proceset si projekt-vendimi dhe vendimi i Këshillit Bashkiak janë marrë nga Bashkia Kavajë vetëm pasi është dhënë leja e ndërtimit. Konkretisht, Bashkia i ka kryer këto procedura në 20 tetor 2025, ndërsa leja e ndërtimit është dhënë më 23 korrik 2025.

Në këtë pikë lindin disa pyetje thelbësore:

Për çfarë projekti i ka dhënë lejen Këshilli Kombëtar i Territorit kompanisë private kur nuk ishte përcaktuar ende prona ku do të ndërtohej? Si ka paraqitur kërkesën për këtë projekt Marsida Dedej nëpërmjet kompanisë “2D Construction 2025”, ndërkohë që nuk kishte tokën ku do të zhvillohej projekti? Dhe nga e ka ditur kompania se do të merrte leje nga KKT-ja dhe më pas nga Bashkia Kavajë për këtë sipërfaqe?

Përgjigjet për këto pyetje mund t’i japë vetëm SPAK-u, pasi kemi një listë të gjatë zyrtarësh të lartë që mund të kenë shpërdoruar detyrën për t’i dhënë jetë një resorti që do t’i bëjë hije bregdetit me lartësinë e tij, e cila në këtë zonë është në kundërshtim me Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kavajë.

Një proces tjetër i rëndësishëm për të cilin mungon transparenca lidhet me mënyrën se si kjo pronë publike është dhënë nga Bashkia për zhvillim. Nga dokumentet rezulton se nuk është zhvilluar një proces konkurrimi për shfrytëzimin e pronës publike dhe nuk shpjegohet plotësisht statusi real i kësaj pasurie që i është dhënë kompanisë për zhvillim.

Këto elemente janë pikërisht pikat që ngrenë pikëpyetje serioze për mënyrën se si është dhënë toka e bashkisë për këtë projekt.

Planet për ndërtimin e resortit janë hedhur në erë nga kërkimet e redaksisë, pasi sipas Bashkisë Kavajë kompania nuk ka paguar taksën e ndërtimit, e cila përllogaritet rreth 1 milion euro. “Vetting” ka siguruar kontratën e firmosur midis Bashkisë Kavajë dhe kompanisë private dhe ka evidentuar se projekti turistik në zonën e Qerretit kushton shumë më tepër se përllogaritja fillestare.

Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi me godina banimi, shërbimi dhe hotelerie, me disa volume ndërtimi që arrijnë deri në 15 kate mbi tokë dhe me 2 kate parkim nëntokë. Në projekt janë parashikuar ndërtesa me lartësi të ndryshme, konkretisht 3, 8, 10, 12 dhe deri në 15 kate, të cilat do të formojnë një kompleks turistik me funksione banimi, hotelerie dhe shërbimesh.

Leja Per Hotelin Ne Qerret
Leja Per Hotelin Ne Qerret
Screenshot 155
Screenshot 155

Duke u bazuar në përmasat e këtij resorti dhe në koston mesatare të ndërtimit për projektet turistike në bregdet, një kompleks i tillë mund të ketë një vlerë minimale investimi rreth 20 milionë euro. Kjo është një përllogaritje minimale që lidhet me sipërfaqen e pritshme të ndërtimit, pasi vlera reale mund të jetë shumë më e lartë.

Një detaj tjetër i rëndësishëm që del nga kontrata dhe dokumentet zyrtare lidhet me praninë e një kanali kullues në zonën e projektit. Rezulton se bashkia është në dijeni të ekzistencës së këtij kanali dhe në dokumente përmendet se zhvillimi i projektit duhet të marrë parasysh praninë e tij. Kjo do të thotë se ndërtesat dhe infrastruktura e projektit nuk mund të ndërtohen mbi kanal dhe duhet të respektohet një distancë sigurie nga ai.

Në praktikë kjo quhet servitut, pra një hapësirë e lirë pranë kanalit që duhet të mbetet e pandërtuar për mirëmbajtjen dhe funksionimin e sistemit të kullimit.

Megjithatë, nga mënyra si janë hartuar dokumentet, del një paqartësi. Kontrata mes bashkisë dhe kompanisë e përmend kanalin vetëm në mënyrë të përgjithshme dhe nuk jep detaje të qarta për mënyrën se si do të menaxhohet ai gjatë zhvillimit të projektit.

Nuk specifikohet nëse kanali do të mbetet në gjendjen aktuale, nëse do të zhvendoset, apo nëse do të integrohet në projekt me punime të reja infrastrukturore. Çdo ndryshim i kanalit kërkon miratim nga institucionet që administrojnë sistemet e kullimit dhe ujërave.

Të dy institucionet, si Agjencia e Zhvillimit të Territorit ashtu edhe Bashkia Kavajë, refuzojnë të bëjnë komente për këto shkelje të dyshuara dhe në frikë nga hetimet e mundshme të Prokurorisë kanë zgjedhur të heshtin.

Emërimi në shkelje të ligjit, DAP-i heq përgjegjësinë nga vetja
Drejtoresha e Tatimeve Tiranë Erilinda Lala do të ngjiste shkallët e karrierës paralelisht me drejtuesin e saj, ministrin e Financave Petrit Malaj. Fillimisht Malaj do të emërohej Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe aty do të punësohej si juriste edhe Erilinda Lala. Më pas Malaj kaloi në Ministrinë e Financave në shtator 2024, ku do të merrte përsëri pranë tij si këshilltare edhe Lalan.

Më 18 shkurt 2026, me propozimin e vetë ministrit Malaj dhe me shkresën e dërguar në Departamentin e Administratës Publike, ky i fundit do të propozonte Erilinda Lalan si Drejtore të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë. Sipas DAP-it, pas verifikimeve përkatëse, ajo që tashmë ishte anëtare e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues do të vendosej në 19 shkurt 2026 në këtë pozicion pa qenë nevoja e një procedure konkurrimi, pasi bëhej fjalë për një pozicion të nivelit të mesëm drejtues.

Problemi është se “Vetting” ka denoncuar në dhjetor 2025 se Lala kishte qenë që prej vitit 2025 si drejtuese e komanduar në këtë post. Por ajo nuk mund të vendosej si e komanduar, pasi nuk gëzonte statusin e nëpunësit civil.

Sipas avokatit Redi Ramaj, metoda e komandimit nuk mund të bëhet për kohë të gjatë pasi është për raste emergjence.

“Nëse flasim për Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Tiranë, automatikisht në këtë rast duhet garë dhe transparencë për emërimin sepse është një nga drejtoritë më të rëndësishme në vend”, u shpreh avokati Ramaj.

Nga dokumentet rezulton se Erilinda Lala ka qenë këshilltare në Ministrinë e Financave nga 2 shtator 2024 dhe është larguar nga kjo detyrë më 15 nëntor 2024, gjë që provohet nga deklarata e pasurisë pas largimit nga funksioni. Pra në fund të vitit 2024 ajo nuk ishte më në këtë pozicion. Më pas, Lala rezulton se ka filluar detyrën si drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë më 29 maj 2025 dhe në këtë periudhë ka qenë e komanduar në detyrë.

Ndërkohë DAP-i, në përgjigjen zyrtare që ka kthyer, nuk flet për komandimin e majit 2025, por vetëm për emërimin me akt të DAP-it në 19 shkurt 2026, pas kërkesës së Ministrit të Financave.

DAP-i nuk ka shpjeguar fazën e komandimit. Ligji për nëpunësin civil nr.152/2013, i ndryshuar, parashikon që komandimi në një pozicion drejtues mund të bëhet vetëm në kushte të caktuara dhe për periudha të kufizuara, zakonisht kur vendi është vakant dhe deri sa të përfundojë procedura e rregullt e emërimit.

Por një komandim i tillë duhet të ketë akt administrativ të qartë dhe bazë ligjore dhe ky departament është institucioni që administron këto procedura. Në përgjigjen që DAP ka dhënë nuk përmendet fare kjo fazë, duke krijuar një boshllëk në kronologjinë ligjore të emërimit.

Problemi është se pozicioni i drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore është pozicion i nivelit të mesëm drejtues dhe sipas ligjit për nëpunësin civil ai duhet të plotësohet nga persona që kanë statusin e nëpunësit civil.

Nga informacioni që kemi, Erilinda Lala ka kaluar fazën e dytë të provimit për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues vetëm në tetor 2025, pra disa muaj pasi kishte filluar të ushtronte detyrën si drejtoreshë e Tatimeve në maj 2025. Kjo krijon një problem logjik dhe juridik: në momentin që ajo është komanduar drejtoreshë në maj 2025, nuk rezulton të ketë qenë pjesë e TND-së ose të ketë kaluar procedurat për këtë nivel drejtues.

Një nga problemet më të rëndësishme lidhet me interpretimin që jep DAP në përgjigje. DAP thotë se emërimi është bërë sipas nenit 30 të ligjit për nëpunësin civil dhe VKM nr.118/2014, që lejon caktimin e një anëtari të TND-së në një pozicion drejtues me kërkesë të ministrit.

Por kjo dispozitë zbatohet vetëm kur personi është tashmë pjesë e TND-së. Në rastin konkret, sipas kronologjisë që del nga dokumentet, ajo fillon të ushtrojë detyrën shumë muaj para se të konfirmohet në këtë status.

Në administratën publike kjo është një pjesë thelbësore e procedurës, sepse komandimi është akt administrativ dhe duhet të jetë i dokumentuar.

Problemi tjetër lidhet me kohëzgjatjen e komandimit. Nëse ajo është komanduar në maj 2025 dhe emërimi formal bëhet në shkurt 2026, kemi një periudhë rreth 9 muaj në të cilën ajo ushtron detyrën e drejtoreshës.

Vetë Departamenti i Administratës Publike nuk bën transparencë të plotë. Në kërkesën që ka bërë “Vetting”, redaksia ka kërkuar procesin e plotë të emërimit dhe fazat e tij. Por DAP ka kthyer përgjigje vetëm për aktin e fundit të emërimit në vitin 2026 dhe jo për fazën e mëparshme kur ajo ushtronte funksionin si drejtoreshë e komanduar.

“Vetting” këmbënguli në kërkesën për informacion duke argumentuar se përgjigjja ishte jo e plotë dhe e dërgoi ankesën pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale Besnik Dervishi. Por pas ankesës, Departamenti i Administratës Publike do të përgjigjej se nuk ishte në dijeni të emërimit të znj. Lala si drejtoreshë e komanduar dhe do të kryente verifikimet për rastin në fjalë, duke ia kaluar përgjegjësinë institucioneve që kanë bërë emërimin. DAP-i shtoi më tej se pasi të kryente verifikimet, do të jepte informacionin edhë përsa i përket emërimit të komanduar.

“Vetting” kontaktoi Komisionerin e Shërbimit Civil për rastin e Erilinda Lalas në Tatime, por deri në publikimin e këtij materiali Drejtoresha Lefterije Lleshi nuk bëri asnjë koment për redaksinë.

Fshehja e pasurisë nga Lala-Godroli dhe hetimet ndaj ministrit Malaj
Pronat në bregdet kanë prodhuar disa nga konfliktet më të ashpra në historinë e shtetit shqiptar dhe duke filluar nga Shkodra në veri e deri në jug në Sarandë, banorët përplasen me njëri-tjetrin, por më shpesh me shtetin.

Një nga pronat që ka ngritur pikëpyetje edhe për procesin e privatizimit sipas denoncimeve të ardhura në redaksinë “Vetting” është hotel-restoranti i familjes Lala, ku bashkëshorti i Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, Taulant Godroli, ka punuar si menaxher i padeklaruar sipas formularit të deklarimit të pasurisë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2025.

Whatsapp Image 2026 03 19 At 18.39.13
Whatsapp Image 2026 03 19 At 18.39.13

Së bashku me Drejtoreshën Lala ata kanë fshehur pasuri apo të ardhura të lidhura me interesa që sipas indicieve lidhen me resortin gjigant në Qerret të Kavajës.

Drejtoresha Lala nuk ka deklaruar NIPT-et dhe emrat e biznesit që ka siguruar rreth 40 mijë euro të ardhura në disa muaj të vitit 2023. Pavarësisht kësaj, kryeinspektorja Evgjeni Bashari dhe Sekretari i Përgjithshëm Arbër Basholli nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për “Vetting” apo se çfarë masash janë marrë në këtë rast.

Problemi tjetër është se Taulant Godroli nuk ka fshehur vetëm çështjen e punësimit, por edhe kompaninë që dikur ka qenë në pronësi të tij, si edhe rolin e tij në kompaninë tjetër ALKO IMPEX CONSTRUCTION (ish KLEDOR ALBANIA-09), e cila është në pronësi të Arbër Abazit.

Në vitin 2009 Taulant Godroli do të themelonte kompaninë Electral shpk si aksioner i vetëm dhe disa vite më pas ai do të bëhej administrator i një shoqërie koncesionare, HEC Hotolisht, e cila në vitin 2015 do të fitonte kontratën nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për ndërtim, operim dhe transferim të hidrocentraleve të Hotolishtit me vlerë investimi 567 milionë lekë.

Problemi lidhet me faktin se Godroli nuk ka deklaruar në formularin e ILDKPKI-së se ka qenë administrator në këtë kompani koncesionare nga viti 2015 deri në vitin 2017.

Madje ai ka fshehur edhe aktin e transferimit të aksioneve të “Electral” shpk, pasi kjo nuk është e deklaruar në formularin fillestar të deklarimit të pasurisë si person i lidhur me Drejtoreshën Erilinda Lala.

Sipas avokatit Ramaj, personat që janë subjekt i ligjit për deklarimin e pasurisë në ILDKPKI duhet të deklarojnë të ardhurat apo transaksionet me kompanitë private kur transferojnë aksionet.
“Ky rast është shkelje e ligjit dhe mendoj se ILDKPKI-ja duhet të nisi një inspektim për të kuptuar se cilat janë shkaqjet e mosdeklarimit”, tha avokati Ramaj.

“Vetting” kontaktoi Sekretarin e Përgjithshëm të ILDKPKI-së, Arbër Basholli, për faktet e reja të mosdeklarimit të pasurisë nga Godroli, por ai refuzoi të bënte koment apo të tregonte se çfarë masash do të merreshin në këtë rast.

Ndërkohë i vetmi fakt që ka dalë zyrtarisht nga korrespondenca e “Vetting” me ILDKPKI-në është se ky institucion ka filluar hetimet për verifikimin e të dhënave të pasurisë ndaj ministrit Petrit Malaj.

Ngelet e paqartë nëse Inspektoriati ia ka referuar rastin Prokurorisë apo ka marrë masa administrative pasi sipas ILDKPKI-së zgjerimi i informacionit në këtë rast lidhet me të dhëna konfidenciale.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb