Emisioni investigativ Vetting, News24

Shteti shkallmon gjykatat dhe bashkitë
Në 13 mars 2025, Këshilli i Ministrave me firmën e zv/kryeministres Belinda Balluku do të transferonte truallin e ish-uzinës në Shkozë në pronësi të Bashkisë Tiranë drejt kompanisë publike “KAYO” sha, e cila është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Por Këshilli Bashkiak Tiranë nuk do të miratonte këtë kalim, duke pasqyruar shkëndija nga përplasjet, të cilat tregojnë se brenda mazhorancës ka një luftë të heshtur brenda llojit.

Sipas anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorjan Teliti, ky vendim është antikushtetues. “Nuk është kaluar në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, është cenuar pavarësia e pushtetit vendor”, tha për “Vetting” Dorjan Teliti.

Sipas avokati Erion Kanxheri në rastin konkret, prona i është kaluar këshillit bashkiak si pronar. “Është bërë pronar dhe këshilli bashkiak duhet të merrte një vendimarje. Nuk e ka marrë këtë vendimarje dhe si pasojë, nuk i ka kaluar pronësia Kajos”, tha për “Vetting” avokati Kanxheri.

Transferimi i pronësisë së godinave dhe vrulli për të realizuar këtë veprim nga zv/kryeministrja Balluku dhe bashkëpunëtorët e saj janë një provë e fortë e konfliktit të shtetit me linjën editoriale “News24”.

Në këtë episod “Vetting” do të ekspozojë se si struktura shtetërore ka marrë hijen e një shteti mafioz, ku pa procedura dhe pa dokumente është cenuar autoriteti i Gjykatës, institucioneve publike dhe vetë pavarësia që duhet të kenë ato. Madje sulmi i 9 gushtit nuk ka qenë një sulm vetëm ndaj medias, por ndaj çdo pushteti që nuk i përshtatet pushtetit të qeverisë.

Sipas politikanit dhe shkrimtarit Magyar Bálint në studimin “Shteti mafioz postkommunist”, shteti mafioz nuk funksionon përmes ligjit dhe procedurave transparente. Meqenëse organizatat mafioze e ruajnë mentalitetin e organizatave kriminale, edhe kur bëhen pjesë e botës së sipërme, janë të mësuara t’i marrin vendimet e tyre më të rëndësishme në prapaskenë. Pikërisht, në këtë veprimtari që e pati pikënisjen me firmën e zv/kryeministres dhe u mbyll me bashkëpunëtorët e saj, ka një listë të gjatë shkeljesh që janë realizuar nga institucionet shtetërore. E gjitha kjo ka patur si synim presionin dhe frikësimin e gazetarëve dhe emisioneve investigative, të cilat kanë ekspozuar një sistem të kalbur.

Goditja e autoritetit të gjykatave
Godina ku ishte gazeta “Panorama” dhe “Panorama online” së bashku me emisionin “Vetting” i kishte mbaruar kontrata me Ministrinë e Ekonomisë në vitin 2022 dhe palët ishin në gjyq. Por problemi lidhet me faktin se gjatë kohës që për këtë pronë kishte një gjyq, pa dalë vendimi i gjykatës, qeveria shqiptare miratoi kalimin e pronës tek “KAYO” sha, sikur ta kishte fituar gjyqin. Injorimi i autoritetit të pushtetit gjyqësor me anë të kalimit të pronësisë te kompania publike është vetëm një rast, pasi ndërhyrja e dhunshme Policisë së Shtetit së bashku me “KAYO” sha në 9 gusht 2025 ekspozoi injorimin total të sistemit gjyqësor.

Erion Kanxheri: “Çështja është që një televizion, dy televizione, ishin grupi mediatik, BalkanWeb, gazetat, të gjitha këto media, ishin të vendosur në këto ambiente. Në një momentet caktuar, pa njoftim, pa procedurë, pa vendim gjykate, pa përmbarues, pa asnjë një proces të rregull ligjor, këto dyer u zëvendësuan me dyer të tjera, me celësat të tjerë dhe këto materiali që ishin brenda, nga njëra dorë që i kishin gazetarët, kaluan në një dorë që nuk i kishin gazetarët. Ky moment është problemi! Ky moment, është momenti kyc që përbën shkelje thelbësore”.

Disa ditë më pas, në 12 gusht 2025, gjykatësja Alma Kodraliu do të vërente se KAYO dhe Policia e Shtetit kishin cenuar të drejtat e gazetarëve.

“Në këtë drejtim, gjykata vlerëson se duhet të marrë në shqyrtim (sa kohë që vetë kërkuesit në padi e kanë lënë në diskrecion të gjykatës marrjen e çdo mase që garanton ruajtjen e të drejtës së tyre), masat garantuese në funksion të ruajtjes së sigurisë dhe mbrojtjes së gazetarëve, si dhe garantimit me sa është e mundur të detyrimeve pozitive të shtetit për mbrojtjen e lirisë së shprehjes”, -shkruhej në brendësi të vendimit të gjykatës administrative të shkallës së parë Tiranë.

Erion Kanxheri: “Mos zbatimi vendimeve gjyqësore, zbatimi gabuar i vendimeve gjyqësore, zbatimi gjysmak i vendimeve gjyqësore, apo çdo lloj forme tjetër që e përjashton rigorositetin ligjor në të gjitha procedurat ku kanë ndërhyrë gjykata. Në vlerësimin tim është një shkelje shumë e rëndë e procesit të rregull ligjor, e standartit të cilësive të sistemi të drejtësisë dhe të zbatimeve të drejtësis dhe në themel cënon sigurinë juridike”.

Gjykatësja Kodraliu do të konstatonte shkeljet ndaj gazetarëve dhe do ti vendoste një afat prej 48 orësh Zyrës së Përmbarimit Shtetëror dhe kompanisë “KAYO” sha për rikthimin e pajisjeve dhe sendeve personale te gazetarët.

Erjon Kanxheri: “Askush nuk shkon ti fus tjetrit dorën në xhep apo ti pretendoj dhe tia marrë. Nuk bëhet kështu, ka gjykatë, është ku adresojnë gjykatë. Pretendimet, adresohen në gjykatë. Ky është procesi i rregullt ligjor. Rasti konkret është përjashtim, nuk është shkuar në gjykatë, por është bërë i ekzekutimi. Kjo është shkelje”.

Por ky proces do të merrte kohë ndërkohë që ishin cënuar pajisjet dhe sendet e gazetarëve.

Do të shqyhej dera e redaksisë “Vetting”, e cila kishte ekspozuar aferat me tendera të personave që janë në krye të “KAYO” sha.

Në fakt, brenda një periudhe të shkurtër do të vinte një goditje e dytë ndaj drejtësisë nga pushteti qendror sepse gazetarët nuk do të lejoheshin të merrnin pajisjet te godina e “News24”.

Sipas avokatit Redi Ramaj, “ndërhyrja te serverat dhe materialet e gazetarëve nga strukturat shtetërore është vepër penale”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb