Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se Shqipëria do të nisë të ndryshojë në kohën që të gjithë politikanët do i nënshtrohen procesit të vettingut.

Ai tha se kjo është një sipërmarrje e PD dhe do të angazhohet maksimalisht për ta përmbushur.

“Shqipëria nuk mund të bëjë përpara pa kaluar të gjithë politikanët më të lartë të këtij vendi në sitën e vettingut në politikë. Atë që kërkojnë për noterët, prokurorët dhe gjyqtarët ka ardhur koha të bëhet edhe për politikanët”, tha Basha.

I pyetur se përse nuk e transmetoi takimin e një dite më parë në Dibër në kohë reale, Basha tha:

“Takimi është transmetuar i plotë, e dëshmitarë për këtë janë pjesëmarrësit në takim. Shqetësimi qëndron diku tjetër. Shqetësimi qëndron në çmontimin e gënjeshtrave hedhur ndaj meje dhe të gënjeshtrave të përditëshme që hidhet ndaj meje, bashkëpunëtorëve të mi dhe demokratëve që nuk ndajnë të njëjtin mendim me Berishën në kthimin e PD në një celulë anti-amerikane. Këtë problem e kam trajtuar në mënyrë shtjelluese.

Përballja është e do të jetë kështu siç them unë dhe jo siç thotë Sali Berisha. Me regjimin e Edi Ramës dhe jo demokratët me njëri-tjetrin siç i ka thërritur Berisha për turpin e tij në selinë e PD. Thirrja ime ndaj demokratëve është që të mos përjetojnë ankthin e deklaratave bombastike të tre brinjëve të trekëndëshit të Bermudës. Shikoni se si artikulojnë dhe e shikon se si kanë vepruar këto 30 vite. E nesërmja na ndan nga fundi i këtij viti. S’ka pse 13 njerëz ta mbajnë peng Shqipërinë. Shqipëria do i rikthehet shqiptarëve dhe do të shëprfillë çdo thirrje për tollovi të halleve të një personi të vetëm. Demokratët s’kanë betejë me njëri-tjetrin, por me Edi Ramën.

Qëllimet e demokratëve janë një, e kalojnë përmes një objektivi, rikthimin e legjitimitetit në Shqipëri, zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në funksion të saj kemi propozuar tre ndryshime Kushtetuese dhe në fillim të vitit do të shpalos një vizion të ri të ndryshimeve të thella Kushtetuese”, tha Basha.

Kryedemokrati theksoi ndër të tjera se beteja e tyre nuk është me njëri-tjetrin, por qartazi ndaj kryeministrit Edi Rama dhe regjimit të tij.

“Grupi na bashkoi shpallja non grata ka interesa politike e pjesën më të madhe të kësaj hipoteke e mban Edi Rama. Nëse do të kishte pasur vullnet do e kishte bërë këtë kur ne e kërkuam në një tjetër rast non grata. Ne qëndrimin tonë e kemi pasur dhe e kemi të qartë. Pengesa është një. Ne do të vazhdojmë pa u lodhur për të arritur objektivat tona, sepse e dimë që kjo është arsyeja më e mirë për të gjetur”, përfundoi Basha.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb