Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se sot në Kuvend do të kalojnë për miratim dy komisionet, atë të Reformës zgjedhore dhe atë territoriale.

Basha tha se këto dy komisione kanë qenë prioritet për PD-në, ashtu si edhe nisma për vettingun e politikanëve.

“Për hir të integrimit të vendit do të bëjmë gjithçka aq më shumë t’i japim shanset një drejtësie që të korrigjohet, të ngrihet në këmbë dhe të shkundet nga frika e t’ju hedhë prangat çdo qytetari të republikës që shkel ligjin jo vetëm gjynahqarëve dhe njerëzve pa akses apo që detyrohen në krim nga varfëria, por duke e nisur nga më të pushtetshmit, nga politikanët dhe nga bosët e krimit të organizuar. Po kështu kam  kënaqësinë të ndaj përmes jush të nderuara gazetare dhe gazetarë që sot Kuvendi i Shqipërisë do të kalojë edhe miratimin e dy Komisioneve të rëndësishme që janë prioritete kombëtare, janë prioritetet e shqiptarëve, janë prioritetet e demokracisë shqiptare; Komisionin për Reformën Zgjedhore, Komisionin për Reformën Territoriale, rindarjen territoriale të Shqipërisë. Këto janë dy angazhime jo thjesht personale të miat, dy zotime të miat para demokratëve, por janë dy zotime të miat para shqiptarëve.

Në veçanti sa i takon Reformës Zgjedhore është arsyeja kryesore, mos them e vetme pse ndodhemi në atë parlament, t’i rikthejmë legjitimitetin dhe demokracinë këtij vendi. Ndërsa sa i takon të dytës besoj se pak nga ju nuk e dinë apo nuk janë ndoshta çuditur që edhe përgjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme, një nga shqetësimet kryesore të njerëzve ka qenë Reforma Territoriale. Ndaj sot dua t’ju them se po hedhim një hap të madh përpara duke detyruar ngritjen e dy Komisioneve, reformës Territoriale dhe reformës Zgjedhore. Vettingu në politikë, ndalimi që kryeministri të ketë më shumë se 2 mandate, forcimi i rolit të parlamentit, ndryshimi i sistemit zgjedhor që parlamentarët mundësisht sa më takon mua por dua ta cilësoj se ky është një diskutim që po ndodh brenda demokratëve në radhë të parë dhe pastaj do të shtrihet edhe me të gjithë shqiptarët, një sistem i pastër mazhoritar që e lidh deputetin drejtpërdrejt me zgjedhësin, janë pjesë e një pakete më të gjerë kushtetuese që siç mund ta kuptoni nuk mund të ndodh në kushtet kur kishte ardhur kërkesa për vetingun në politikë, për zgjatjen e vetingut në drejtësi, sepse kjo kërkesë lidhet me disa afate proceduriale.

Por në mënyrën absolute, vetingu i politikanëve është dhe mbetet prioritet kryesor i Partisë Demokratike, së bashku me prioritetet kushtetuese në bashkëpunim me shoqërinë, në bashkëpunim me të gjithë forcat e shoqërisë, me elitën e shoqërisë, me pedagogët, me studentët, me intelektualët, me sipërmarrjen, me shoqërinë civile, me ju, me median. Ndryshimet kushtetuese nuk mund të futen në kapsulën e sotme. Ato kërkojnë një dialog dhe një gjithpërfshirje të madhe, dhe siç e kam thënë dhe e keni, mund ta gjeni në çdo arkiv tuajin, kërkojnë në vlerësimin tim, jo thjesht një vendimmarrje politike, por edhe një referendum popullorë, sepse duhet të prekin të gjitha fushat. Vetingu në politik, kufizimi në dy mandate të kryeministrit, ndarjen dhe balancimin e pushteteve, mënyra se si zgjidhen institucionet e pavarura, deri dhe në të drejtën e qytetarëve për të vendosur përmes referendumeve lokale dhe të përgjithshme. ”, tha Basha.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: