Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpall vendimin për gjyqtarin, njëherësh Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, duke e shkarkuar përfundimisht nga sistemi për shkak të pasurisë.
Në seancën e zhvilluar në KPA, Zaganjori nuk ishte i pranishëm.

Trupi gjykues tha se pas provave të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, nuk mundi të justifikonte pasurinë. KPA ka gjetur ndër të tjera problematika me pagesat e shkollimit të fëmijëve të Zaganjorit jashtë shtetit. Po ashtu probleme janë konstatuar edhe me deklarimin e një apartamenti në Durrës.

“Referuar deklaratës fillestare të 2013 dhe të vitit 2017, subjekti Xhezair Zaganjori është i pasaktë në deklarimin e sipërfaqeve, vlerës dhe burimit të këtyre pasurive të paluajtshme. Ai nuk arrin të justifikojë pasuritë. Për rrjedhojë ka kryer deklarim të pasaktë”, tha relatorja e seancës Albana Shtylla.

Pasuri si shtëpia, një dyqan, garazhi dhe një bibliotekë ishin gjetur me probleme nga verifikimi i Komisionerit Publik.

Ishte Komisioneri Publik, që ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e konfirmoi në detyrë, duke kërkuar shkarkimin e Xhezair Zaganjorit. Komisioneri Florian Ballhysa është shprehur më herët se Zaganjori nuk justifikon pasurisë, ndërsa vetë Zaganjori ka hedhur poshtë pretendimin duke kërkuar konfirmimin në detyrë.

Me largimin e Zaganjorit, Gjykata e Lartë mbetet me vetëm një anëtar, Ardian Dvoranin, i cili merr drejtimin e institucionit. Nga marsi i 2018, kur nisën nga puna institucionet e vettingut, janë shkarkuar nga detyra 7 gjyqtarë të lartë, për problemet me pasurinë dhe lidhje me eksponentë të krimit të organizuar. Ndërsa më herët 5 të tjerë lanë detyrën me mbarimin e mandatit.

 Të shkarkuar: Admir Thanza, Artan Zeneli, Artan Broci, Shkëlzen Selimi, Tom Ndreca, Edmond Islamaj, Xhezair Zaganjori. 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb