Banorët e Divjakës nuk kanë ndërmend të ndalen. Për të 36-ën ditë radhazi, ata kanë dalë në protestë kundër projektit të reformës administrative-territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, që sipas tyre rrezikon të çojë në largimin e institucionit të bashkisë nga qyteti.
Në sheshin e Divjakës kanë vijuar thirrjet e protestuesve: “Divjaka bashki!”, ndërsa qytetarët kanë përsëritur kundërshtinë e tyre ndaj ndryshimeve të propozuara.
Gjatë protestës së mbrëmjes së së premtes, folësit kanë shprehur edhe pakënaqësinë ndaj deputetes së zonës, Ana Nako. Protestuesit kundërshtuan pjesëmarrjen e saj në një takim të zhvilluar pasditen e së premtes në njësinë administrative Gradishtë, në fshatin Këmishtaj, të cilin deputetja e kishte cilësuar si “takim bese”.
Sipas protestuesve, askush nuk ka marrë pjesë në këtë takim për t’i dhënë “besë” deputetes. Ata kanë kërkuar që Ana Nako të përballet drejtpërdrejt me qytetarët në shesh dhe të shpjegojë qëndrimin e saj lidhur me reformën administrative-territoriale dhe të ardhmen e Bashkisë Divjakë.
Protesta e natës së 36-të është mbyllur me një marshim në rrugët e qytetit. Banorët kanë paralajmëruar se rezistenca do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
