Banorë të Njësive Administrative Surroj dhe Kolsh protestuan këtë të hënë para Bashkisë së Kukësit, për ndërtimin e rrugës Mamëz-Surroj.
Të indinjuar, banorët thonë se “rreth 70 milionë euro të ardhura nga Mamëzi nuk kthehen në investime për fshatin, ndërsa rruga është tërësisht e amortizuar”.
“Rrugë s’kemi, prej 30 vitesh, thonë ja sot, ja nesër”, u shpreh një banor.
“Është ende ajo rrugë që na ka bërë dhuratë Italia dhe Gjermani. Jemi të zhgënjyer, të na ndërtojnë rrugën”, u shpreh një tjetër.
Të zhgënjyer, banorët thonë se ndërtimi i rrugës me gjatësi 30 km iu është premtuar disa herë ndër vite, por sipas tyre nuk është marrë asnjë veprim konkret.
Për rrjedhojë, banorët paralajmëruan se në shenjë proteste, nga muaji Janar në Mamëz dhe Surroj nuk do të lejohet hapja e shkollave si dhe do të bllokojnë Rrugën e Kombit.
“Erdhi për votime Balluku, bëri foto dhe tha rruga mori fund, pastaj shkoi”, deklaron një tjetër banor. “Na trajtojnë si banorë të dorës së dytë”, shton një tjetër.
Nga ana tjetër, Bashkia Kukës deklaron se projekti i rrugës Mamëz–Surroj është përfshirë sërish në listën e investimeve prioritare për vitin 2026, me një vlerë prej 521 milionë lekë.
Bashkia Kukës i është drejtuar zyrtarisht Fondit Shqiptar të Zhvillimit për financim të projektit, pasi e ka të pamundur ta mbulojë me të ardhurat e saj.
