Gjykata e Tiranës ka caktuar masën ‘arrest me burg’ për Vijard Kotorrin, Ervin Kamollin si dhe Edmond Dokushi, të cilët u arrestuan nën akuzën e mashtrimit me monedhat.

Nga salla e gjyqit sot një prej të arrestuarve, Kotori deklaroi se kishte gjetur në rrugë në Laprakë disa ditë më parë 8 mijë dollarë, por vetëm 2 prej tyre kishte tentuar që të thyente dhe se pjesën tjetër e kishte djegur.

“BalkanWeb” ka publikuar pamjet e kameras së sigurisë të një pike të këmbimit valutor, ku i riu Kotori shkon dhe tenton që të thyejë 2 mijë dollarë fals. Por pavarësisht tentativës së tij, punonjësja e ‘Exchange’ e pikas direkt që ata janë fals dhe tenton që të njoftojë shefin e saj. Sapo e reja kapi telefonin për të bërë telefonatën, Kotorri u largua me shpejtësi nga pika e këmbimit valutor.

PJESË NGA BISEDA
Kotori: Ka njeri këtu? Si kalove?
Punonjësja: Mirë
Kotori: Po prisja..
Punonjësja: Ku shkon me këto? Këto janë false të gjitha
Kotori: Si false?
Punonjësja: Po janë false
Kotori: Je mirë?
Punonjësja: Ti sjell false në zyrën time dhe më thua a jam mirë unë?! Apo të lajmëroj policinë
Kotori: Ato janë marrë nga banka
Punonjësja: Këto janë marrë nga banka?
Kotori: Po!
Punonjësja: Ok ja e verifikojmë. Marr unë shefin dhe e shohim.
Kotori: A ka mundësi që të më japësh lekët mbrapsht?
Punonjësja: Jo sepse ti po më thua që unë nuk jam mirë. Pse i ke sjellë në zyrë këto false? (I numëron dhe dalin 20 prerje 100 dollarëshe) Bravo, 2 mijë dollar.

Në momentin kur punonjësja i bie telefonit të shefit, personi që tenton ta mashtrojë bëni sikur flet në telefon dhe largohet nga pika e këmbimit valutor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb