TIRANË- Aksidenti i tretë vetëm për një pasdite në rrugët e vendit dhe me pasoja fatale. Një kalimtare është përplasur nga një automjet tek kryqëzimi i Laprakës në Tiranë.
Ajo është dërguar me urgjencë në spital por nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas policisë, viktima është 58-vjeçarja Age Beqiri. Policia në vendin e ngjarjes ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, shtetasin me iniciale A.C.
Ndërkaq në videon e filmuar nga një qytetar shihen momentet e para pas aksidentit ku kalimtarë të rastit bërtasin dhe kërkojnë ambulancën.
“Më datë 15.10.2016, rreth orës 19:05, në rrugën “Dritan Hoxha”, tek semafori qe kthehesh per ne Laprakë, një automjet me targa AA 422 MS që drejtohej nga shtetasi A. C., ka aksidentuar këmbësoren A. B., 58 vjeçe, e cila u dërgua në S.Q.U, por ka ndërruar jetë në Spital si pasojë e plagëve të marra. Drejtuesi i mjetit është ndaluar në flagrancë dhe është shoqëruar nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, deklaron policia.
(m.k/BalkanWeb)
