Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Prizren-Suharekë, ku për pasojë humbi jetën një grua që po drejtonte mjetin me targa shqiptare dhe pasagjerja që ndodhej me të, pas përplasjes me një kamion që transportonte mallra.

Viktimat janë Elizabeta Katija, 43 vjeçe, drejtuesja e mjetit dhe një figurë e njohur në fushën e biznesit, si dhe Eorda Sinollari, 32 vjeçe, konsulente biznesi në Gjermani. Të dyja humbën jetën në vendngjarje, ndërsa autoritetet dyshojnë se moti i keq dhe mjegulla e dendur mund të kenë ndikuar në përplasjen fatale.

Elizabeta Katija ishte drejtuese në Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare, një emër i njohur për aktivitetet e saj brenda dhe jashtë vendit. Edhe Eorda Sinollari ishte e afirmuar në botën e biznesit, me karrierë profesionale në konsulencë në Gjermani.

Nga përplasja mbeti i plagosur rëndë edhe shoferi i kamionit, Munish Grajçefci, i cili po merr trajtim mjekësor në spital dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Kosovës ka konfirmuar ngjarjen, duke bërë me dije se aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:40 në kilometrin e 26-të të autostradës. Hetimet po vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e sakta të tragjedisë që ka tronditur komunitetin.

Ndërkohë, lajmi për ndarjen nga jeta të Elizabeta Katijas ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në komunitetin e biznesit, ku ajo vlerësohej për kontributin dhe profesionalizmin e saj.

Mjetet e përfshira në aksident janë “Mercedes GLE”, me targa shqiptare, e drejtuar nga Elizabet Katija (viktimë), dhe një kamion “Mercedes Atego”, i drejtuar nga Munish Grajçefci (i lënduar).

“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën “Ibrahim Rugova” në kilometrin e 26-të ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja. Si pasojë e aksidentit drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb