Një familje ka humbur jetën në aksidentin tragjik në aksin Fier-Vlorë, pranë fshatit Panaja, ose zonës së njohur si “Kripa”. Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se bëhet fjalë për familjen Gushi nga Patosi, me katër pjesëtarë, burrë e grua dhe dy vajza.

Tre prej tyre kanë humbur jetën në vend, ndërsa babai Eduard Gushi dyshohet se ka ndërruar jetë në spital. Familja sapo kishte ardhur nga Greqia dhe po shkonte me pushime, ndërsa çantat dhe valixhet që ndodheshin në makinën e tyre tip “Toyota” janë shpërndarë në rrugë.

“Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 personat që udhëtonin me mjetin ‘Toyota’, shtetasit E. G., 44 vjeç, S. G., 33 vjeçe, A. G., 14 vjeçe dhe E. G., 9 vjeçe.
Ndërkohë, në spitalin e Vlorës po marrin mjekim 3 shtetasit që udhëtonin me mjetin ‘Audi’, I. M., F. L dhe G. S., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë veprimet nga grupi hetimor, për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njofton policia.

Në vend ka shenja të shumta të frenimit për disa metra.
Ndërkaq në mjetin “Audi”, i cili dyshohet se i ka rënë nga pas mjetit “Toyota” me të cilën udhëtonte familja Gushi, kanë qenë tre persona. Dy prej tyre kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital, ndërsa një i tretë nuk ka dëmtime. Gazetari Mehmeti tha se në vend ka qenë dhe drejtori i qarkullimit.

Makina është përplasur dhe me shtyllën duke e thyer në mes dhe ka lënë pa energji dhe një biznes. Paraprakisht mendohet që ka qenë shpejtësia e lartë që ka sjellë dhe aksidentin e rëndë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: