Vatrat e zjarrit të rëna në luginën e Shkopetit dhe parkun Kombëtar “Lurë – Mali Dejës” vijojnë të jenë aktive edhe këtë martë. Edhe pse gjatë ditës së djeshme ndërhyri helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes, nuk është bërë e mundur neutralizimi i plotë i zjarrit.
Ndërkohë era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve të cilat kanë ndezur disa vatra në malin e Shkopetit. Zjarri përfshin parkun natyror “Ulëz-Shkopet”, ndërsa në rrezik janë edhe disa banesa në fshatin Shkopet për shkak se zjarri është afruar në një distancë të afërt.
Ekipet zjarrfikëse vijojnë përballjen në terren me flakët ndërsa pritet që në orët në vijim të ndërhyhet edhe nga ajri.
Në zonën e Zall Gjoçajt pjesë e parkut “Lurë – Mali Dejës” zjarri vijon të djegë masive me pisha dhjetra vjeçare dhe ah. Prej pasdites së të hënës është angazhuar një avion Italian për shuarjen e zjarrit në parkun e Lurës teksa furnizohet me ujë në liqenin e Ulzës.
Në terren vijojnë luftën grupet e shërbimit zjarrfikës, të shërbimit pyjor etj.
(BalkanWeb)
