Atalanta ka marrë një fitore të vyer 3-2 ndaj Milanit, në supersfidën e Serie A të luajtur në Gewiss Stadium (Bergamo). Një devijim i pafat i skuadrës kuqezi solli golin e parë të zikaltërve të vegjël pas 37 minutash lojë, me anë të Lookman. Skuadra e Piolit reagoi brenda pjesës së parë, falë Giroud. Djemtë e Gasperinit u futën me shumë dëshirë në pjesën e dytë dhe morën përsëri avantazhin. Lookman kompletoi dopietën personale, pas asistit të De Ketelaere.

Serbi Jovic “tundi rrjetën” për herë të dytë në këtë sezon, por goli i tij 10 minuta nga fundi nuk ishte i mjaftueshëm. 6 minutat shtesë prodhuan një gol me vlerë 3 pikë për Atalantën të Muriel dhe kartonin e dytë të verdhë të Calabrias, në krahun tjetër.

Në fund, të dy trajnerët respektivë i shtrënguan duart njëri-tjetrit. Në këtë ndeshje luajti edhe Berat Gjimshiti, në kampin bergamask. Sa i takon renditjes, Milan renditet në pozitën e 3-të, me 29 pikë në total. Atalanta ka grumbulluar 20 pikë, vetëm vendi i 10-të për ta.

 

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: