Në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë shihet momenti kur një person i maskuar i vë flakën një biznesi mobilieri në qytetin e Vlorës.
Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, kur autori është afruar pranë objektit, ka thyer xhamin e derës me një çekiç, dhe më pas, duke përdorur një bidon të mbushur me benzinë, ka shkaktuar zjarrin. Pas veprimit, ai është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Flakët janë vënë re nga një fqinj, i cili ka lajmëruar menjëherë pronarin e biznesit, Eduart Aliko. Ky i fundit ka mbërritur në vend vetëm pak minuta më pas dhe ka konstatuar se kati i parë i godinës ishte përfshirë plotësisht nga zjarri.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë, pamjet e kamerave të sigurisë janë sekuestruar si provë materiale, për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
