Aeroplanët luftarakë izraelitë kryen bombardime në Gazë të martën në mbrëmje, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu e akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit dhe e urdhëroi ushtrinë të kryejë “sulme të fuqishme”.
Më herët, zyra e Netanyahut njoftoi se ai kishte urdhëruar sulme të menjëhershme, duke mos dhënë më shumë hollësi, por një zyrtar ushtarak izraelit tha se Hamas e ka shkelur armëpushimin duke kryer një sulm kundër forcave izraelite në një zonë të enklavës që është nën kontrollin e Izraelit.
“Kjo është një tjetër shkelje e hapur e armëpushimit”, tha zyrtari.
Videot nga Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze treguan njerëz që po merrnin trupa dhe nxitonin drejt një spitali në Qytetin e Gazës, pasi Izraeli rifilloi sulmet.
Marrëveshja e armëpushimit, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, hyri në fuqi më 10 tetor, duke i ndalur luftimet dyvjeçare që nisën pas sulmeve vdekjeprurëse të udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.
Më herët të martën, mediat izraelite raportuan më herët për një shkëmbim zjarri midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
