Skena kaotike u regjistruan në një autostradë të ngarkuar ndërshtetërore në Florida, SHBA, pasi shoferët e bllokuar në trafik panë një avion të vogël që po u drejtohej dhe më pas u përplas me një automjet në kalim e sipër. Avioni Beechcraft 55, me dy persona në bord, u detyrua të bënte ulje emergjente të hënën pasdite gjatë orës së pikut. Në momentin e uljes së detyruar, ai goditi një makinë, duke shkaktuar një përplasje të fortë.

Shoferi 57-vjeçar i automjetit u plagos lehtë dhe u transportua me urgjencë në spital. Ndërkohë, dy 27-vjeçarët që ndodheshin në avion refuzuan trajtim spitalor, sipas autoriteteve. Piloti deklaroi se disa sekonda para uljes kishte hasur probleme me motorin, por natyra e defektit mbetet ende e paqartë. Pamjet nga vendngjarja treguan rrugën të mbuluar me mbeturina dhe pjesë të avionit, një skenë që pasqyronte forcën e goditjes.

Aksidenti ndodhi në një prej arterieve më të ngarkuara që lidh Orlandon me Kepin e Kanaveralit. Autoritetet u detyruan ta mbyllnin plotësisht autostradën, duke shkaktuar bllokime masive trafiku deri në pastrimin e mbeturinave. Policia po vijon hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: