Napoli kthehte te fitorja në Serie A, duke mundur Brescia 2-1 në sfidën e parë të së dielës për javën e gjashtë të kampionatit italian. Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti vendosi sfidën që në pjesën e parë, ndërsa me golin e tij Mario Balotelli vetëm sa zbuti humbjen e skuadrës së tij. Vendasit e nisën mirë sfidën dhe që në minutën e 13-të kaluan në epërsi me Mertens.
Në limitet e pjesës së parë, Manolas dyfishoi shifrat, duke dhënë përshtypjen e një ndeshjeje të mbyllur përpara kohe. Por me rikthimin në fushë pas pushimit, Brescia reagoi fort dhe pas golit të anuluar të Tonali, ngushtoi shifrat me Balotelli në minutën e 67-të.

Ky ishte goli i parë për sulmuesin që pas rikthimit në Serie A, por që nuk ndihmoi skuadrën e tij të evitojë humbjen. Nga ana tjetër, me këtë fitore Napoli kthehet të ndjekë rivalët në garën për titullin kampion.
(balkanweb)